Prishtinë – Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka ngritur alarmin për rritjen e shpejtë të importeve nga Kina, duke kërkuar vendosjen e një tarife minimale prej 30 për qind për produktet kineze, si masë mbrojtëse për ekonominë dhe prodhimin vendor.
Në një postim publik në rrjetet sociale, Rukiqi thekson se brenda vetëm katër viteve, nga viti 2021 deri në vitin 2025, importet nga Kina janë rritur për mbi 100 për qind, nga rreth 452 milionë euro në afërsisht 920 milionë euro. Sipas tij, Kosova nga Kina importon kryesisht mallra të lira, me cilësi të ulët dhe me vlerë minimale të shtuar.
Ai vlerëson se këto produkte dëmtojnë drejtpërdrejt prodhimin vendor, ulin standardet e tregut dhe krijojnë konsum afatshkurtër, pa ndikim real në zhvillimin afatgjatë ekonomik dhe në punësim.
Rukiqi nënvizon gjithashtu se Kina është një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka qëndrime të hapura kundër interesave të saj në arenën ndërkombëtare, duke e bërë varësinë ekonomike nga ky vend jo vetëm çështje tregtare, por edhe çështje strategjike dhe të sigurisë kombëtare.
Sipas tij, tarifat aktuale për mallrat kineze janë të pamjaftueshme dhe nuk reflektojnë as rrezikun strategjik, as dëmin ekonomik që këto importe shkaktojnë për industrinë dhe punësimin vendor.
Në këtë kontekst, Rukiqi i bën thirrje qeverisë së re të Kosovës, kurdo që të formohet, që të rishikojë politikat tregtare në tre drejtime kryesore: zëvendësimin e importeve përmes mbështetjes reale të prodhuesve vendorë, nxitjen e eksporteve drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe shteteve mike, si dhe vendosjen e tarifave mbrojtëse strategjike për produktet e importuara nga Kina.
Sipas tij, tarifa minimale prej 30 për qind do të ishte një hap konkret drejt mbrojtjes së ekonomisë vendore dhe forcimit të sovranitetit ekonomik të Kosovës./Qendra.INFO

