Ndarja e Mitrovicës në vitin 1999 nuk ishte rezultat i një marrëveshjeje politike apo vendimi formal ndërkombëtar, por pasojë e një momenti vendimtar në terren, ku frika nga përshkallëzimi i konfliktit ndikoi drejtpërdrejt në vendimin e KFOR-it.
Sipas një rrëfimi të lidhur me Oliver Ivanoviqin, në qershor të vitit 1999, gjenerali francez i KFOR-it paralajmëroi se situata në qytet po dilte jashtë kontrollit.
“Ne nuk mund t’i ndalim shqiptarët, ata po hyjnë në pjesën veriore të qytetit. Situata është e pashpresë, duhet të mendoni për pozitën tuaj dhe pasojat nëse qëndroni”, citohet t’i ketë thënë gjenerali francez Ivanoviqit.
Përgjigjja e Ivanoviqit ishte e prerë dhe, sipas këtij rrëfimi, vendimtare për rrjedhën e ngjarjeve.
“Në rregull, ne do të tërhiqemi, por pas nesh në këto kodra kemi aq shumë armë dhe do të ofrojmë aq rezistencë sa që të gjithë do të pësojnë: edhe ju, edhe ne, edhe shqiptarët”, thuhet se ka deklaruar Ivanoviqi.
Megjithëse, sipas të njëjtit burim, realiteti në terren ishte krejt tjetër – në qytet ndodheshin jo më shumë se 150 persona të gatshëm për rezistencë, deri sa ushtria jugosllave ishte tërhequr drejt Serbisë qendrore.
Një përkthyes, pjesë e eskortës së gjeneralit francez, ka dëshmuar se vendosmëria dhe vetëbesimi i Ivanoviqit ndikuan drejtpërdrejt në vendimin e KFOR-it.
“Njeriu vendimtar dhe vetëbesues e bindi gjeneralin”, ka dëshmuar ai.
Vetëm gjysmë ore më vonë, sipas këtij rrëfimi, tanket franceze dolën në urën kryesore të Mitrovicës dhe morën pozicionet kyçe në lumin Ibër.
“Që nga ai moment, lumi Ibër e ndau qytetin dhe i mbrojti serbët në pjesën veriore”, ka thënë përkthyesi.
Ky episod hedh dritë mbi një të vërtetë pak të njohur: ndarja e Mitrovicës u vulos nga një vendim i shpejtë ushtarak, i diktuar nga frika e përplasjes së armatosur, dhe jo nga një proces politik i planifikuar.
Një histori e pathënë për vite me radhë, që vazhdon të përcaktojë realitetin politik dhe shoqëror të qytetit edhe sot./Qendra.INFO

