Me homazhe dhe vendosje të kurorave të luleve në varrezat e dëshmorëve në Dobrosin, Lluçan dhe Tërnoc, sot u shënua 26‑vjetori i daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB), një organizatë që doli në skenë më 26 janar 2000 gjatë periudhës së represionit ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Në kujtesën solemne morën pjesë qytetarë nga Lugina e Preshevës, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues institucionalë, të cilët nderuan sakrificën e luftëtarëve dhe dëshmorëve shqiptarë që ranë për mbrojtjen e komunitetit.
Në fjalën e tij, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, theksoi se kjo datë përbën një simbol të sakrificës dhe krenarisë kombëtare dhe obligim për të ruajtur historinë dhe vlerat e përbashkëta të shqiptarëve. Ai rikujtoi edhe vrasjen e Isa dhe Shaip Saqipit nga policia serbe, ngjarje që sipas tij nuk i ndali rezistencës së komunitetit.
Ndërkaq, Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, vlerësoi se rënia tragjike e këtyre dy burrave nuk i shtoi frikën shqiptarëve, por e forcoi qëndresën dhe zërin e tyre për liri. Sipas saj, 26 janari mbetet një moment historik që simbolizon dinjitetin, guximin dhe aspiratat për të ardhmen e komunitetit.
Po ashtu, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, vlerësoi se kjo periudhë historike përbën njëkohësisht dhimbje dhe krenari, duke nënvizuar rëndësinë që zëri i Luginës të dëgjohet edhe në arenën ndërkombëtare.
UÇPMB-ja u formua në rrethana të represionit politik dhe policor ndaj popullsisë shqiptare në tre komunat jugore të Serbisë — Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc — dhe dalja e saj publike më 26 janar të vitit 2000 konsiderohet një pikë kthese në përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve në këtë rajon./Qendra.INFO

