Prishtinë, 27 janar 2026 – Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Njëri nga të arrestuarit, i identifikuar me inicialet A.G., është zënë në flagrancë për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas burimeve të qendra.info, vlera e ryshfetit me të cilin është kapur në flagrancë zyrtari komunal është rreth 2 mijë euro.
Prokuroria ka bërë të ditur se arrestimi është realizuar gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, ndërsa A.G. dyshohet se ka pranuar mitë me qëllim që ta ndihmojë një palë të dëmtuar në realizimin e një pagese për punë të kryera në bazë të një kontrate me Komunën e Prishtinës.
Në të njëjtin rast janë shoqëruar dhe arrestuar edhe dy zyrtarë të tjerë të komunës, të cilët dyshohen për përfshirje në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa pritet që Prokuroria të ndërmarrë veprime të mëtejme procedurale./Qendra.INFO

