Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se rezoluta e miratuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës përfaqëson çështjen e dytë më të rëndësishme historike pas luftës së UÇPMB-së.
Sipas Sinanit, kjo rezolutë ka arritur të ndërkombëtarizojë zyrtarisht çështjen e shqiptarëve të Luginës, duke e nxjerrë atë nga kornizat e një problemi të brendshëm të Serbisë dhe duke e vendosur në agjendën e institucioneve më të larta ndërkombëtare, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Pas luftës së UÇPMB-së, kjo është çështja më e madhe dhe më e rëndësishme që ka arritur të marrë vëmendje serioze ndërkombëtare. Rezoluta amerikane e ka ndërkombëtarizuar çështjen e shqiptarëve të Luginës”, ka deklaruar Sinani.
Ajo ka theksuar se rezoluta kërkon nga Departamenti i Shtetit amerikan hartimin e një raporti të posaçëm mbi diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke përfshirë pasivizimin e adresave, mungesën e përfaqësimit institucional, mosnjohjen e diplomave dhe shkelje të tjera të të drejtave themelore.
Sipas kryetares së Preshevës, ky zhvillim përbën një kthesë të rëndësishme politike dhe diplomatike, pasi për herë të parë çështja e shqiptarëve të Luginës trajtohet në mënyrë formale nga Kongresi amerikan.
Sinani ka shtuar se kjo rezolutë krijon një bazë të re për veprim diplomatik dhe rrit presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës./Qendra.Info
