Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dyshohet se ka kryer shkelje të rënda ligjore dhe procedurale gjatë vlerësimit të një tenderi të vlefshëm qindra mijëra euro, duke eliminuar ofertën dukshëm më të lirë dhe duke favorizuar një kontratë me vlerë pothuajse dyfish më të lartë. Këto dyshime ngrihen në Raportin e Ekspertes Shqyrtuese të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e cila ka konstatuar se KEK ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, ka interpretuar në mënyrë selektive kriteret e tenderit, ka zvarritur pa arsye procesin e vlerësimit dhe ka kufizuar transparencën ndaj operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në garë, shkruan Demokracia.com.
Procesi i prokurimit për aktivitetin “Vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës në KEK sh.a.” është shoqëruar me shkelje serioze ligjore dhe procedurale, sipas gjetjeve të Raportit të ekspertit të OSHP-sw.
Megjithëse raporti i ekspertit nuk është ende vendim përfundimtar, pasi për të marrë formë të plotfuqishme kërkohet edhe vendimi i Panelit Shqyrtues të OSHP-së, gjetjet e tij hedhin dyshime të forta mbi ligjshmërinë e vlerësimit të ofertave nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Ekspertja shqyrtuese konstatoi se Autoriteti Kontraktues ka vepruar në kundërshtim me parimet bazë të Ligjit për Prokurimin Publik, përfshirë trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë, transparencën, proporcionalitetin dhe vlerësimin objektiv të ofertave. Sipas raportit, KEK ka refuzuar ofertën e operatorit ankues “N.N. Bli TERM” duke u mbështetur në interpretime formale dhe selektive të kritereve, pa kryer një analizë substanciale të përmbushjes profesionale dhe teknike të ofertës.
Një nga shkeljet kryesore të evidentuara lidhet me keqinterpretimin e kritereve për personelin profesional. Ekspertja ka vlerësuar se Dosja e Tenderit nuk ka përcaktuar qartë ndalimin që një ekspert i kualifikuar të mbulojë më shumë se një pozitë, përderisa posedon certifikimet dhe përvojën përkatëse. Megjithatë, KEK ka eliminuar ofertën e operatorit ankues pikërisht mbi këtë bazë, duke vepruar në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit dhe me praktikën e qëndrueshme të prokurimit publik.
Raporti konstaton gjithashtu se Autoriteti Kontraktues ka refuzuar dokumente të cilat ligjërisht mund të ishin sqaruar ose plotësuar, në përputhje me nenin 72 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe nenin 38.3 të Rregullores për Prokurim Publik. Në disa raste, sipas ekspertit, KEK ka refuzuar ofertën për mungesë dokumentesh, edhe pse ato dëshmonin gjendje ekzistuese para afatit të dorëzimit të ofertave dhe mund të ishin verifikuar pa cenuar barazinë në garë.
Shkelje tjetër serioze ka të bëjë me vlerësimin e certifikatave profesionale dhe teknike. Ekspertja vlerëson se Autoriteti Kontraktues ka interpretuar në mënyrë të ngushtë dhe jo objektive certifikatat e akreditimit dhe autorizimet teknike, veçanërisht në rastin e laboratorit testues dhe parametrave të matjes, duke mos marrë parasysh autorizimet shtesë të lëshuara nga institucionet kompetente. Ky veprim, sipas raportit, ka ndikuar drejtpërdrejt në eliminimin e ofertës më të lirë ekonomikisht, pa një analizë profesionale të plotë.
Në raport theksohet edhe shkelja e afateve ligjore për vlerësimin e ofertave. Sipas ekspertit, procesi i vlerësimit ka zgjatur mbi 100 ditë nga hapja e ofertave, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 40.3 të Rregullores për Prokurim Publik, i cili parasheh një afat maksimal prej 30 ditësh, me mundësi zgjatjeje vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara. Në rastin konkret, ekspertja vlerëson se një zgjatje e tillë nuk është arsyetuar ligjërisht.
Një tjetër problem i rëndë i identifikuar në raport lidhet me mungesën e transparencës dhe të qasjes në dokumente. Ekspertja thekson se Autoriteti Kontraktues nuk i ka ofruar operatorit ankues qasje të pastruar në ofertën e operatorit të rekomanduar për kontratë, duke pamundësuar ushtrimin efektiv të së drejtës për ankesë dhe duke shkelur nenet 6, 7, 10 dhe 11 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Tenderi në fjalë kishte vlerë të parashikuar 605,931 euro, ndërsa sipas raportit të ekspertit shqyrtues, operatori i rekomanduar për kontratë ka ofertuar rreth 603 mijë euro, shumë pranë kufirit maksimal të parashikuar, ndërkohë që operatori i eliminuar kishte paraqitur ofertë prej rreth 330 mijë euro, pra afërsisht 50 për qind më të ulët. Kjo diferencë e konsiderueshme në çmim, e kombinuar me gjetjet për shkelje procedurale dhe ligjore gjatë vlerësimit të ofertave, ka ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si KEK ka zbatuar parimin e ekonomicitetit dhe mbrojtjes së parasë publike në këtë proces prokurimi.
Në përfundim, ekspertja shqyrtuese ka rekomanduar që ankesa e operatorit ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim. Sipas raportit, vetëm një rivlerësim i ofertave në përputhje me ligjin, me analiza profesionale dhe pa interpretime selektive të kritereve, mund të garantojë një proces të drejtë dhe transparent të prokurimit publik.
Megjithatë, raporti i ekspertit përbën vetëm një fazë të procedurës ankimore. Vendimi përfundimtar dhe i plotfuqishëm pritet të merret nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së, i cili do të vendosë nëse gjetjet e ekspertit do të konfirmohen dhe do të prodhojnë efekt juridik ndaj vendimit të KEK-ut. /Demokracia.com/

