Prishtinë – Pjesë të fasadës së një objekti banesor–afarist kanë rënë sot në një rrugë të frekuentuar në Prishtinë, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe automjeteve që qarkullonin në zonë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e zjarrfikësve, të cilët me ndihmën e shkallëve mekanike kanë intervenuar për të larguar pjesët e dëmtuara të fasadës dhe për të parandaluar rënien e mëtejme të materialeve nga lartësia.
Siç shihet edhe në fotografi, intervenimi është bërë në një ndërtesë disa katëshe, ndërsa zona përreth është siguruar përkohësisht për të shmangur ndonjë incident të mundshëm. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale potenciale.
Autoritetet u bëjnë thirrje pronarëve të objekteve të vjetra që të kontrollojnë gjendjen e fasadave, sidomos gjatë kushteve të paqëndrueshme atmosferike, për të shmangur rrezikun për qytetarët.

