Në tubimin e sotëm studentor të mbajtur në Mitrovicën e Veriut, u artikulua pakënaqësia e studentëve lidhur me pasigurinë e vazhdueshme që rrethon statusin e tyre akademik dhe institucional. Ish-studentja e Fakultetit Juridik, Milena Jevtić, deklaroi se studentët janë të lodhur nga, siç u shpreh ajo, proceset politike dhe mungesa e zgjidhjeve konkrete.
Ajo theksoi se pasiguria është kthyer në realitet të përditshëm për studentët e Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut, ndërsa termat politikë dhe deklaratat formale, sipas saj, përdoren për të shmangur përgjigjet e drejtpërdrejta për të ardhmen e arsimit të lartë.
“Jemi të lodhur nga proceset, kornizat, normalizimi dhe fjalët e zbrazëta, me të cilat po maskohet pasiguria jonë e përditshme”, deklaroi Jevtić para të pranishmëve.
Tubimi u mbajt me rastin e përvjetorit të tubimit të parë përkujtimor të studentëve, të organizuar në Mitrovicën e Veriut, në shenjë kujtimi për tragjedinë në Novi Sad më 1 nëntor 2024, kur nga shembja e një strehe humbën jetën 16 persona.
Ndërkohë, si temë qendrore e këtij tubimi u theksua edhe e ardhmja e Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut, në dritën e njoftimeve të fundit për integrimin e sistemit arsimor serb në kuadër të institucioneve të Kosovës, çka ka rritur shqetësimet për vlefshmërinë e dokumenteve akademike dhe statusin e studentëve. /Qendra.INFO

