Ministrja e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim në Kongresin Amerikan me kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën, ku në fokus ka qenë çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Spiropali bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për “Projektligjin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës”, një nismë e iniciuar nga kongresmeni Self, e cila synon monitorimin dhe raportimin nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi trajtimin e shqiptarëve në këtë rajon.
Sipas ministres, kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, si dhe në adresimin institucional të tyre.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, në bashkëpunim me aleatët tanë”, ka theksuar Spiropali./Qendra.INFO

