As pushteti dhe as opozita ende nuk kanë prezantuar ndonjë kandidat për president. Deri me tani partitë nuk kanë shfaqur as preferencat e tyre.
Ndonëse afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri po ofrohet, subjektet politike ende nuk i kanë filluar diskutimet për këtë çështje.
Në mungesë të këtyre diskutimeve, deputetët e PDK-së dhe LDK-së kanë shfaqur preferencat e tyre individuale.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka ripërsëritur qëndrimin e tij për çështjen e presidentit.
Ai ka bërë me dije se ky post duhet t`i takojë PDK-së.
Në profilin e tij në Facebook, Haliti nuk ka përmendur ndonjë emër konkret.
“E ripërsëris: Presidenti duhet t’i takojë PDK-së”, ka shkruar Haliti.
Më herët të njëjtën gjë e ka shprehur edhe deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku.
Në emisionin “Pressing”, ai ka thënë se nëse ka bisedime për Presidentin, LDK-ja do ta ketë propozimin e vet.
“Nëse ka bisedime, ne vijmë me propozimin tonë për president. Çdo negociatë politike ka zgjidhje nëse ka pozitivistët. Këtë prej fillimit e ka thënë LDK”, ka thënë ai.
Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka thënë se nuk është kandidat për president.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se AAK do t`i vazhdojë konsultat për këtë çështje.
“Nuk jam kandidat për president të vendit, nëse në një rrethanë të caktuar parlamenti e deputetët do të ma kërkonin e kisha shqyrtu por nuk jam kandidat. Presidenca është institucion i rëndësishëm i vendit, ne do t’i vazhdojmë konsultat e brendshme në Aleancë për me marrë një qëndrim si do të veprojmë”, ka thënë ai.
Deri me tani kandidat të preferuar për president nuk ka as partia në pushtet.
Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, ka bërë me dije se kjo parti ende nuk ka një kandidat për president të cilin do ta përkrah.
Ai ka treguar pse kjo parti ende nuk ka vendosur për një gjë të tillë.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Dugolli ka thënë se VV-ja nuk dëshiron të imponon një kandidat për president.
“Nuk ka ende një kandidaturë definitive që do ta përkrahim, për shkak se nuk po dëshirojmë që partitë opozitare ta marrin si sinjal që po dëshirojmë ta imponojmë dikë. Synojmë që ta arrijmë një konsensus me mirëkuptim që për të mos dërguar vendin në zgjedhje të reja. Mund të ketë emër tjetër, përveç të Vjosa Osmanit. Nuk mund të paragjykojmë. I kemi vetëm 66 vota, nuk i kemi mbi 80 që t’ia sigurojmë Vjosa Osmanit. Na mbetet të gjithëve që t’ia sigurojmë”, ka deklaruar ai.
Nga qëndrimet e deritashme të partive politike duket që askush prej tyre nuk e do edhe për një mandat presidenten aktual Vjosa Osmani.
Të gjitha partitë politikë janë treguara të hapura për të filluar diskutimet për çështjen e presidentit të ri.

