Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur bisedimet për partitë politike për zgjedhjen e presidentit.
Ditë më parë u raportua se Vjosa Osmani nuk përbën më interes për Kurtin. Siç kishte thënë Ermal Panduri në emisionin e tij Debat Plus, Kurti i ka thënë Osmanit që t’i sigurojë 30 nënshkrime për të shpallur kandidaturën, më pas i ka të gjitha votat e partisë së tij.
Ditëve të fundit, është vërejtur afërsi e presidentes Osmani me kryeministrin Rama. Përderisa, në anën tjetër, Kurti nuk ka bërë ndonjë lëvizje për presidenten aktuale. Gjithashtu, edhe për partitë në opozitë, presidentja aktuale është e papranueshme.
Si rezultat, duket se Albin Kurti nuk po dëshiron që ta mbajë më në ‘front’ presidenten Osmani.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.
Çështja e zgjedhjes së Presidentit u theksua si temë kyçe, duke pasur parasysh se, në bazë të afateve kushtetuese, kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë për përmbylljen e këtij procesi. Palët konstatuan se bashkëpunimi është i domosdoshëm, pasi për një votim të suksesshëm kërkohen së paku dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit.
Ndërkohë, përmes një reagimi publik, vet Hamza ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar rreth zhvillimeve politike dhe procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri.
Ai ka theksuar se si subjekt opozitar, PDK-ja nuk ka qenë dhe nuk është pengesë e proceseve shtetërore, por njëkohësisht nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar në përputhje me frymën kushtetuese.
Hamza ka shprehur pritjen që përgjegjësit kushtetues për propozimin e kandidaturave të reflektojnë dhe të ofrojnë emra me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar marrëveshje politike për presidentin.
“Ulemi në kryesi dhe shohim vendimmarjen. Dhe kjo është e thjeshtë: votojmë, s’votojmë”, tha ai. Pastaj vazhdoi me njl linjë të përmbysur. “Ku p’e dini çfarë vendimi marrim ne? Ndoshta vendimi ynë është që t’ia lëmë secilit deputet individualisht të vendosë si të do? Ku e din ti? Edhe ashtu ka. Sepse ka pasur rasti kur kemi pasur bindje të ndryshme për ligje të caktuara. Rasti i të burgosurve të ardhur nga Danimarka…e në fund votuam sipas bindjeve tona. Por, pajtohem që për Presidentin duhet të kemi orientim të përbashkët. E ne s’e kemi marrë ende atë orientim.”, tha ai.

