Shkup, 23 shkurt 2026 – Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është dërguar në paraburgim në Burgun e Shuto Orizari, pas ndalimit të tij nga autoritetet kompetente.
Sipas njoftimeve zyrtare, Grubi është ndaluar në pikën kufitare të Bllacës në orët e hershme të mëngjesit, në momentin kur është paraqitur për të hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut. Ndaj tij kishte qenë aktive një masë arresti e lëshuar më herët nga organet e drejtësisë.
Gjykata kompetente kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi i njëjti nuk ishte paraqitur më herët para institucioneve hetimore. Pas procedurave fillestare, ai është transferuar në burgun e Shuto Orizares, ku do të qëndrojë deri në vendimet e radhës gjyqësore.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet ndaj tij lidhen me dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe parregullsi në procedura financiare gjatë kohës sa ushtronte funksione publike. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi ecurinë e hetimeve.
Nga ana tjetër, pritet që mbrojtja e Grubit të paraqesë qëndrimin e saj lidhur me akuzat dhe masën e sigurisë të caktuar nga gjykata.
Hetimet për rastin janë në zhvillim e sipër.

