Besnik Bislimi, dikur zëvendëskryeministër me përgjegjësi për integrim evropian dhe zhvillim ekonomik, degradohet në udhëheqës të Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategike, sipas vendimit të fundit të Kurtit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur të ndryshojë rolin e njërit nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Besnik Bislimi, duke e autorizuar për një pozitë më administrative në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Sipas dokumentit zyrtar të siguruar nga Demokracia.com, Bislimi do të udhëheqë Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategike, një strukturë që funksionon nën drejtimin e Kryeministrit.
Në vendim thuhet se mandati i tij në këtë pozitë do të zgjasë për aq kohë sa zgjat mandati i Kryeministrit, ndërsa Bislimi obligohet të deklarojë pasurinë sipas legjislacionit në fuqi.

“Autorizohet z. Besnik Bislimi, të udhëheqë me Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike. Mandati i të autorizuarit nga pika 1 e këtij Vendimi, zgjat për aq sa zgjatë mandati i Kryeministrit. I autorizuari nga pika 1 e këtij Vendimi, obligohet të deklarojë pasurinë sipas legjislacionit në fuqi. Obligohen Zyra e Kryeministrit për zbatimin e këtij Vendimi. Ky Vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhet në këtë vendim.
Dokumenti, i nënshkruar nga Kurti më 20 shkurt 2026, detyron gjithashtu Zyrën e Kryeministrit të zbatojë këtë vendim, i cili hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.
Vendimi është dërguar edhe te vetë Bislimi, Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-së dhe Arkivi i Qeverisë.
Bislimi ka shërbyer si Ministër i Financave dhe Transfereve gjatë qeverisë së parë të Albin Kurtit në vitin 2020, ku mbikëqyri buxhetin, financat publike dhe politikat fiskale të vendit.
Nga 2021 deri më tani, Bislimi ka qenë Zëvendëskryeministër i Kosovës, përgjegjës për integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe koordinimin e dialogut me Serbinë. Ai ka udhëhequr gjithashtu projekte strategjike qeveritare dhe ka përfaqësuar Kosovën në takime ndërkombëtare për çështje ekonomike dhe politike. /Demokracia.com/.

