Rusia po i jep Iranit informacione për ta ndihmuar atë të sulmojë forcat amerikane në Lindjen e Mesme, sipas një raporti të Washington Post, transmeton Klankosova.tv.
Gazeta citon tre zyrtarë “të njohur me inteligjencën”, të cilët thonë se ndihma e Kremlinit për Teheranin që nga e shtuna ka përfshirë vendndodhjen e aseteve ushtarake amerikane, të tilla si anije luftarake dhe avionë.
“Duket sikur është një përpjekje mjaft gjithëpërfshirëse”, tha një nga burimet e Post.
Shkalla e ndihmës së Rusisë për Iranin nuk është plotësisht e qartë, sipas raportit. Por burimet e Washington Post duken të bindura se aftësia e vetë ushtrisë iraniane për të lokalizuar forcat amerikane është degraduar në më pak se një javë të fillimit të luftës.
Pete Hegseth, sekretari i mbrojtjes i SHBA-së, sugjeroi më parë këtë javë se Rusia dhe Kina “nuk ishin realisht një faktor” në luftë.
‘Regjimi iranian po shtypet’
Ambasada ruse në Uashington D.C. nuk iu përgjigj një kërkese për koment për artikullin e Washington Post, tha gazeta.
Moska ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës, të cilën e ka përshkruar si “akt të paprovokuar të agresionit të armatosur”.
Nga ana amerikane, CIA dhe Pentagoni gjithashtu refuzuan të komentonin për artikullin e Washington Post.
Por Shtëpia e Bardhë dha një deklaratë, me zëdhënësen Anna Kelly që tha: “Regjimi iranian po shtypet plotësisht”. /Klankosova.tv

