Donika Gërvalla, Ministre e Drejtësisë, në një njoftim të takimit me ambasadorin britanik në ved, Jonathan Hargreaves, i ka folur, sipas saj, atij për reformat në drejtësi që i synon.
Vettingu dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, tha ajo, janë “parakusht për një drejtësi që nuk toleron kompromis.”
Postimi i plotë:
Republika e Kosovës ka nevojë për drejtësi që funksionon dhe për institucione që nuk pranojnë kompromis
Me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës z. Jonathan Hargreaves, folëm për përparimin e reformave në drejtësi dhe forcimin e institucioneve që garantojnë sundim të palëkundur të ligjit dhe integritet të plotë të sistemit të drejtësisë.
Bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar ka qenë dhe është i përhershëm, i qëndrueshëm dhe i shumëanshëm, e me fokus të veçantë tek drejtësia dhe sundimi i ligjit. Republika e Kosovës në vazhdimësi vlerëson mbështetjen e tyre në proceset reformuese, në forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve tona, e sidomos përpjekjet e shtetit britanik për mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore.
Në anën tjetër, Vetingu dhe ndërmarrja reformuese në sistemin e drejtësisë dhe funksionalizimi i plotë i Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk janë thjesht reforma, por parakusht për një drejtësi që nuk toleron kompromis. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është vijë e prerë e mandatit tonë, dhe Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e vendosur që çdo abuzim të ndëshkohet dhe çdo qytetar të gëzojë drejtësi reale të qasshme dhe të pakompromentuar.
Vetëm kështu shteti forcon institucionet e saj, garanton drejtësi funksionale dhe transparencë, dhe siguron që sundimi i ligjit të mbetet prioritet bazë i Republikës së Kosovës.

