Një aksident i rëndë ka ndodhur në Gjermani, ku si pasojë një 29-vjeçare nga Kosova dhe djali i saj trevjeçar kanë humbur jetën.
Lidhur me vdekjen e tyre kanë raportuar edhe mediat gjermane, ndërsa kombësinë e viktimave e kanë bërë të ditur burime të afërta me familjen.
Bazuar në këto burime, nëna dhe djali i saj ishin nga Gjakova.
Ndërsa sipas raportimeve të mediave gjermane, ata u goditën nga një kamion në trotuar, teksa 29-vjeçarja po e çonte në kopsht të birin.
Sipas policisë, shoferi ka humbur kontrollin e kamionit si pasojë e një problemi shëndetësor.
“Kamioni u përplas me tre makina të parkuara dhe më pas u përplas në murin e një shtëpie. Një grua 29-vjeçare dhe djali i saj 3-vjeçar u goditën më pas në trotuar. Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për t’i shpëtuar, të dy vdiqën në vendngjarje nga plagët e rënda”, thuhet në konfirmim.
Shoferi i kamionit pësoi lëndime të lehta dhe i njëjti është transportuar për në spital.
Me kërkesë të prokurorisë publike të Rottweil, është ngarkuar një ekspert për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.
