Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se çmimi tavan i lejuar për naftën sot është 1.89 euro për litër.
Nafta sot në Kosovë shitet për një cent më shtrenjtë se dje.
Në tregjet botërore u raportua për një rënie të ndjeshme të çmimit të naftës pas armëpushimit dyjavor të njoftuar mes SHBA-së dhe Iranit.
Njoftimi i Ministrisë:
Bazuar në vendimin e MINTI-t, të datës 05.04.2026 për çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për datën 08.04.2026:
Nafta (dizel): 1.89 euro/litër;
Benzina: 1.46 euro/litër;
Gas: 0.77 euro/litër.
Ankesat e qytetarëve mund të adresohen në:
konsumatori@rks-gov.net
ose në nr. tel.: 0800 11000
Çmimet globale të naftës kanë pësuar një rënie të ndjeshme, ndërsa tregjet aksionare kanë shënuar rritje të konsiderueshme, pas arritjes së një marrëveshjeje të kushtëzuar për armëpushim dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Marrëveshja përfshin edhe rihapjen e ngushticës strategjike të Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
Berjani tha sot se çmimet e ulura në bursë pritet të “reflektohen” edhe në Kosovë. Por, jo menjëherë.
“Sot çmimi në bursë është duke u ulur dhe kjo pritet të reflektohet shumë shpejt edhe në Kosovë”, tha Berjani në një deklaratë për portalin Indeksonline të mërkurën.
Sipas tij, ulja e çmimeve lidhet me zhvillimet ndërkombëtare dhe pritjet për marrëveshje që po ndikojnë në stabilizimin e tregut global të naftës.

