Tri herë u dënua me 15 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prizren. Tri herë vendimi u konfirmua nga Gjykata e Apelit. Supremja dy herë e ktheu rastin në rigjykim. E herën e tretë, Ilir Haxhiaj, i akuzuar që e rrahu deri në vdekje bashkëshorten e tij, Hatije Dina, u shpall i pafajshëm nga gjyqtarët e Supremes. Pra, i lirë përfundimisht. Megjithatë, i gjithë procesi është zhvilluar me shumë pikëpyetje, të cilat ende nuk kanë marrë përgjigje të konfirmuar me siguri të plotë. A kërceu nga vetura si pasojë e dhunës Hatije Dina, apo Ilir Haxhiaj e kishte nxjerrë duke ushtruar dhunë që ia shkaktuan vdekjen? Dy ekspertiza që bien në kontradiktë me njëra-tjetrën, shumë dëshmi për dhunë të vazhdueshme në familje, dhe një kafe të cilën i akuzuari e kishte pirë në shtëpi, derisa bashkëshortja e tij po luftonte me jetë brenda veturës. Gazeta Nacionale për javë të tëra ka hulumtuar dosjen e gjithë rastit, dhe sjell detaje.
Për rreth 23 vjet jetë bashkëshortore, në mesin e dhjetërave rasteve që përjetoi dhunë nga bashkëshorti, 31 maji i vitit 2019 ishte fatal për Hatije Dinën. Rruga që e bënte për të shkuar te familja e saj në Rahovec, do të mbetej vendi ku ajo do të merrte plagët që ia morën edhe jetën. Sipas Prokurorisë, ato ia kishte shkaktuar me dhunë deri në vdekje Ilir Haxhiaj, bashkëshorti i të ndjerës. Megjithatë, epilogu i një maratone 7-vjeçare gjykimesh, bashkëshortin e Hatije Dinës, e nxori të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Prizren, me datë 31 maj, Ilir Haxhiaj e kishte marrë bashkëshorten e tij për ta dërguar te familja e saj. Përgjatë rrugës, e kishte ndalur veturën dhe fillon të ushtrojë dhunë dhe t’ia përplas kokën për asfalti tashmë të ndjerës, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Rrëfimi i të akuzuarit dhe mbrojtjes së tij ishte i ndryshëm. Sipas tyre, Hatije Dina, kishte kërcyer vetë nga vetura, duke e përplasur kokën në tokë. Dëshmitarë okularë nuk kishte, as kamera në vendin e ngjarjes jo. Si rezultat, disa ekspertiza u realizuan. Disa dëshmi treguan për dhunën e vazhdueshme që 54-vjeçarja kishte pësuar gjatë gjithë kohës. Por, në fund, vendimi përfundimtar e shpalli Ilir Haxhiajn të pafajshëm.
“Dhimbjet shohen. Çfarë drejtësie është kjo?”, pyet familja e Hatije Dinës në një reagim dërguar ekskluzivisht gazetës Nacionale.
Bazuar në dokumentacionin e siguruar nga gazeta Nacionale që përfshin dosjen e plotë të lëndës, raportet e Policisë, dëshmitë e dëshmitarëve, kontradiktat në dëshminë e të akuzuarit, ekspertizën e trafikut dhe atë mjeko-ligjore, del se rasti edhe pse ka marrë vendimin përfundimtar gjyqësor, shumë pyetjeve nuk u ka dhënë përgjigje.
Kjo pasi Ilir Haxhiaj ishte dënuar tri herë nga Gjykata Themelore në Prizren me nga 15 vjet burg, për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor me pasojë vdekjen. Tri herë Gjykata e Apelit e konfirmoi dënimin. Gjykata Supreme e ktheu rastin dy herë në rigjykim, kurse herën e tretë përfundimisht e liroi të akuzuarin kryesorë. Megjithatë, edhe pse procesi gjyqësor ka përfunduar, ajo që ka mbetur është dhimbja dhe dyshimet e familjes së Hatije Dinës.
Dhuna e vazhdueshme, edhe në ditën e ngjarjes tragjike
Rrugën deri në Rahovec, në ditën kritike, Hatije Dina dyshohet se e kishte bërë e rrahur brutalisht. Kjo dëshmohet me një fotografi të cilën gazeta Nacionale e ka siguruar nga dosja e lëndës. Mavijosjet në të gjitha anët e trupit dukeshin kthjelltësisht edhe në ekspertizën mjeko-ligjore, edhe dy javë pasi Dina kishte qëndruar në koma si pasojë e lëndimeve. Ekspertiza mjeko-ligjore numëronte me dhjetëra dëmtime në trupin e të ndjerës. Megjithatë, ato u konstatua se nuk ishin vdekjeprurëse. Fatale ishte goditja e kokës në mjet të fortë, që sipas ekspertëve, mund të jetë si rezultat i rënies së Hatije Dinës nga vetura.Edhe prova të tjera nxisin të njëjtat pyetje. Njollat e gjakut të cilat djali i 54-vjeçares i kishte parë afër bunarit në oborrin e shtëpisë, ishin dëshmi tjetër e fortë se dhuna kishte nisur nga shtëpia. Në një procesverbal të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, djali i Hatijes, A.H, flet për gjakun të cilin thotë se e kishte fotografuar edhe Policia. “Kam pa gjak te bunari, kan fotografi policia që kanë fotografue”, deklaronte ai. Megjithatë, këto fotografi të gjakut, kurrë nuk u prezantuan në Gjykatë, edhe pse djali ishte i bindur që policët i kishin. Por, këtu nisin dilemat e para. Sipas raportit të Policisë të ditës kritike, e të cilin e ka siguruar Nacionale, në vendin prej ku janë nisur Haxhiaj bashkë me Hatije Dinën, nuk kishte njolla të gjakut, por oborri bari në atë pjesë ishte i lagur, pra i larë. “Pasi kemi arritur në fshatin Nëpërbisht tek shtëpija e të dyshuarit dhe viktimës, në oborrin e tyre kemi vërejtur se oborri ishte i lagur, nuk kemi vërejtur njolla gjaku”, thuhet në raport. Lagështia në oborr, edhe më tutje ka nxitur dyshime nëse gjurmët e gjakut që kanë qenë prezente si pasojë e dhunës, mund të ishin fshirë, dhe këtë e thoshte djali i të ndjerës në Gjykatë. “Me të hyrë në oborr, afër pusit ka vërejtur bokalin dhe zorrën”, deklaronte ai.Në aktakuzën e Prokurorisë që e posedon gazeta Nacionale, në dëshmitë e dëshmitarëve si dhe në ekspertizën mjeko-ligjore, konstatohet se e ndjera ka pasur shenja të dhunës në trup. Bazuar në proceserbalet që ka siguruar gazeta djemtë e Hatije Dinës, por edhe vëllezërit e Hatije Dinës, kanë konfirmuar se në këtë familje, ka pasur vazhdimisht dhunë në familje. Madje, djali i të ndjerës, A.H, në një prej procesverbaleve, thekson se rastet i kishin raportuar edhe në Policinë e Kosovës. “Vitin nuk e di, policia ka ardhë, kur kanë ardhe ata ne kemi dalë jashtë, Policia ka bisedu me të akuzuarin”, deklaronte ai.
Dhunën në familje e kishte konfirmuar edhe V.D, vëllai i të ndjerës. “Ajo është maltretuar nga bashkëshorti, ka biseduar me këtu të akuzuarin, mirëpo ai ka vazhduar edhe më tej. Motra ka treguar se ai pin, nuk punon, edhe fëmijët janë ankuar për maltretime”, kishte deklaruar ai në një prej seancave të këtij rasti. Dhunën e kishte pranuar edhe vetë Ilir Haxhiaj para Gjykatës. “Një herë ka deklaruar se ka ushtruar dhunë, dhe ndoshta 30 herë e ka dërguar te familja e saj me qëllim të zgjidhjes së situatës”, kishte deklaruar ai.Në reagimin që e ka dërguar familja e Hatije Dinës për Nacionalen, ata theksojnë se në familje, kurrë nuk e kanë pasur një ditë të bardhë. “Aty çdo herë ka pasur dhunë në famije, çdo herë. Nuk e dimë një ditë të mirë që ka qenë në atë familje. Vrasja ndoshta edhe ka qenë e planifikuar sepse ai gjithmonë i ka thënë që ‘do të mbys, do të mbys’”, thuhet në reagimin e familjes.
Megjithatë, gjithë aspektet e dhunës së vazhdueshme, si dhe dyshimet për dhunë në ditën e ngjarjes fatale, nuk kanë zënë vend në aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Gjykata fokusin kryesor e ka vënë në faktin e ekspertizave, nëse Hatije Dina ka kërcyer nga vetura, apo e njëjta është nxjerrë nga bashkëshorti i saj, dhe ai e ka goditur me kokë për asaflti. Kjo mbetet dilema kryesore e kësaj ngjarje me fund tragjik.
Disa ekspertiza, shumë mistere
Prokuroria e Prizrenit, si dhe Gjykata Themelore, madje edhe ajo e Apelit, kishin konstatuar se Ilir Haxhiaj e kishte nxjerrë Hatije Dinën nga vetura, dhe duke e goditur me kokë për asfalti, i shkaktoi lëndime vdekjeprurëse. Por, dy ekspertiza binin në kontradiktë njëra me tjetrën. Gjykata Supreme vendimin e saj e ka të bazuar kryesisht në këto ekspertiza, duke rrëzuar vendimet e mëhershme të shkallëve të tjera të Gjykatës.
Ekspertiza mjeko-ligjore e hartuar nga profesori Flamur Blakaj, dhe ekspertiza e trafikut nga eksperti Ejup Qehaja, përplaseshin njëra me tjetrën. Ekspertiza mjeko-ligjore dhe raporti i autopsisë të cilat i ka siguruar gazeta Nacionale, thekson se me besueshëri të lartë, lëndimet e rënda vdekjeprurëse, Hatije Dina, i mori si pasojë e rënies nga vetura. “Lëndimet me besueshmëri kanë qenë të shkaktuara si pasojë e përplasjes së trupit në sipërfaqës të fortë, e që nuk përjashtohet mundësia që tani e ndjera të ketë rënë nga vetura që ka qenë në lëvizje”, thuhet në këtë raport të autopsisë. Por, Blakaj gjatë dëshmisë së tij, ka thënë se nuk mund të konstatohet se nga çfarë goditjesh kanë ardhur lëndimet vdekjeprurëse, përderisa nuk ka shenja që e pasqyrojnë objektin. Sipas tij, mund të jetë goditje me grusht, shkop apo tullë, por mund të jetë edhe përplasje në një objekt. Pra, nuk është arritur të konstatohet 100% nëse Hatije Dina ka vdekur si pasojë e goditjes me diçka të fortë, apo e përplasjes në tokë. Por, vetëm është konstatuar se “me besueshmëri mund të ketë rënë nga vetura”. Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e profesorit Blakaj për të kuptuar se si është arritur në këtë konkluzion, dhe si dallojnë goditjet me mjet të fortë, nga rënia në objekt të fortë, por ai ka thënë se nuk i komentojnë ekspertizat.Krejt të kundërtën e thotë ekspertiza e trafikut e hartuar nga Ejup Qehaja. Në këtë ekspertizë të siguruar nga gazeta Nacionale, theksohet se nëse pasagjerja do të kërcente nga vetura e cila ishte në lëvizje, trupi nuk do të mbetej në pozitën e njëjtë, por do të lëvizte në drejtim të veturës, pra do të rrokullisej. Madje, në vendin e ngjarjes nuk kishte as gjurmë të frenimit, çka sipas ekspertit, do të duhej të ndodhte si veprim i parë nëse një person i kërcen shoferit nga vetura. “Nga provat e vendit të aksidentit, nga pozita e ndaljes dhe lëndimit të pasagjeres, nuk ka mundësi të konstatohet që pasagjerja ka kërcyer nga vetura”, thuhet në këtë raport. Gjykatat e shkallëve të tjera, aktgjykimet e të cilave i ka siguruar Nacionale, kanë konstatuar se pasi që nuk ka pasur shenja të frenimit në rrugë pasi e ka parë se viktima ka rënë nga automjeti, kjo dëshmon që i dyshuari vetë e ka ndalur veturën, dhe e ka nxjerrë Hatije Dinën nga vetura.
Në mes të këtyre dy raporteve, hyri një përgjigje nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Të njëjtit, konstatuan se ky rast nuk mund të trajtohet si aksident trafikut, andaj nuk është kompetencë e ekspertëve të japin konstatime. “Natyra e lëndës dhe provat brenda saj nuk janë në fushën e ekspertizës dhe kompetencës profesionale të ekspertëve të FIM-it, përfshirë edhe ekspertët e komunikacionit rrugor. Ekspertët nuk njohin metodologjinë profesionale të fushës që mund të trajtojë natyrën e kësaj lënde”, thuhet në përgjigjen e tyre. Bazuar në këtë përgjigje të Fakultetit, Gjykata Supreme vendosi ta hedhë poshtë ekspertizën e trafikut të Ejup Qehajës, dhe ia fali besimin e plotë ekspertizës mjeko-ligjore. Si rezultat, kryesisht me fjalinë nga ekspertiza mjeko-ligjorë që thotë “me besueshmëri të lartë mund të ketë rënë nga vetura”, Supremja vendosi ta shpallë të pafajshëm të akuzuarin. “Në situatën konkrete ekziston një problem metodologjik: gjykata (e shkallëve të tjera) pranon vetëm pjesërisht ekspertizën mjeko-ligjore, duke refuzuar pjesën që lidhet me mekanizmin e rënies së të ndjerës dhe marrjes së lëndimeve, ndërkohë që mbështetet kryesisht në ekspertin e komunikacionit për mënyrën e zhvillimit të ngjarjes. Në praktikën gjyqësore, kjo paraqet një vlerësim selektiv dhe jo tërësor të provave”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.Sipas vendimit të Supremes, nuk është vërtetuar se i akuzuari me veprimin e tij, ka bërë që Hatije Dina të pësojë plagë vdekjeprurëse. Pra s’ka pasur pasojë. Edhe nëse, hipotetikisht, Hatije Dina të kishte kërcyer nga vetura, asnjë shkallë e Gjykatave nuk i ka marrë për bazë rrethanat, dhe shtytjen për ta kryer këtë veprim, e që në këtë rast, ka qenë dhuna e vazhdueshme, siç dëshmohet në komplet dosjen e lëndës. Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Gjykatës Supreme, për të marrë përgjigje rreth të gjitha dilemave lidhur me dhunën e mëhershme, gjurmët e gjakut dhe detajet e tjera, por Supremja ka theksuar se nuk i komentojnë vendimet.
Për familjen e Hatije Dinës, ky konstatim i Gjykatës Supreme është i papranueshëm. “Nëse ajo kish ra nga vetura, trupin me krejt ato shenja nuk e kish pas. I akuzuari ka ushtruar dhunë te shtëpia, e ka lënë aty dhe pastaj ka dashur me dërgu për në Rahovec në fshatin Samadraxh. Aty e ka nxjerr nga vetura e ka ngre zhag edhe i mëshon kokës për asfalti. Ndryshe s’ka shansa kjo me ndodhë. Ne jemi të bindur se fajtor është bashkëshorti”, thuhet në përgjigjen e familjes Dina.
Të njëjtin qëndrim, e mbështetë edhe avokati i familjes Zahir Hamza. Ky i fundit, ka theksuar se që nga fillimi i procesit ka pasur probleme në funksionimin e institucioneve. Atij i është mohuar e drejta e thirrjes së disa dëshmitarëve, por edhe e ekzaminimit të telefonëve. “Gjatë gjithë procesit kemi evidentuar disa mangësi, duke filluar nga hetimi jo i plotë i rrethanave të rastit, mosadministrimi i disa provave me rëndësi, si dhe mospërputhje ndërmjet ekspertizave të ndryshme. Po ashtu, kemi vërejtur një mungesë të koordinimit të duhur ndërmjet organeve përgjegjëse, gjë që ka ndikuar në zbardhjen e plotë të rastit”, ka thënë ai. Sipas avokatit, pasi ka pasur kontradikta mes dy ekspertizave, do të duhej të shkohej një hap tutje me super-ekspertizë. “Nga njëra anë kemi një ekspertizë mjeko-ligjore që lë hapësirë për mundësinë që viktima të ketë kërcyer nga vetura, ndërsa nga ana tjetër ekspertiza e trafikut e konsideron një skenar të tillë si të pamundur. Kjo kundërthënie e thellë do të duhej të ishte trajtuar me shumë më tepër kujdes dhe të kërkohej një super-ekspertizë për të sqaruar në mënyrë përfundimtare këtë dilemë”, ka thënë për Nacionalen avokati Zahir Hamza. Përderisa, Prokuroria e Prizrenit në një përgjigje për Nacionalen, vetëm ka theksuar se do ta respektojë vendimin e Supremes, pa treguar nëse do të punohet për prova të reja në këtë rast.
Në anën tjetër, avokati i Ilir Haxhiajt, Shkëlzen Sopjani, ka deklaruar për Nacionalen se me vendimin e Gjykatës Supreme, është konfirmuar ajo që kanë thënë prej fillimit. Sipas tij, rasti ishte fakteqësi ku Ilir Haxhiaj nuk kishte asnjë përgjegjësi. “Bazuar në provat e administruara është vërtetuar se vdekja e të ndjerës është shkaktuar nga dalja e saj nga makina, derisa makina ka qenë në lëvizje, me pasojë rrëzuarjen, rrotullimin dhe përplasjen e kokës dhe trupit në sipërfaqe të fortë, siç është asfalti. Andaj, përfundimisht në rastin në fjalë është vërtetuar plotësisht versioni i mbrojtjes se kjo ka qenë një fatkeqësi e shkaktuar me vet veprimin e të ndjerës dhe gjithnjë e kemi theksuar se ‘mbi një fatkeqësi nuk mund të behët një padrejtësi’”, ka thënë Sopjani për Nacionalen.
Kontradikta, dëshmi dhe një kafe përderisa Hatije Dina po luftonte me jetë
Dyshimet se dhuna ka nisur qysh nga shtëpia, para se Hatije Dina të niset për në Rahovec, në ditën tragjike, e konfirmonte edhe J.H, djali i Ilirit të cilin e kishte me një grua tjetër, e i cili thtoë se me të ndjerën nuk kishte raporte të mira. Në dëshminë e tij pranë Prokurorisë e në Gjykatë, ai kishte deklaruar se Hatije Dina ishte e shtrirë në ulëset e pasme. “Duke kaluar përskaj me veturë, ka vërejtur që njerkën në veturë e ka vërejtur në pozicion të shtrirë, këmbët i ka pasur pakzës jashtë, sikur kur shtrihet njeri me pushu”, deklaronte ai në Gjykatë. Kontradiktat shtohen edhe më shumë, pasi krejt tjetër gjë ka deklaruar në dëshminë e tij Ilir Haxhiaj, i cili disa herë theksonte se Hatije Dina, ishte e ulur në ulëset e pasme. Pra, ulur, e jo shtrirë. “Më tej ka shtuar se bashkëshortja ka qenë e ulur në pjesëm e pasme, të anës së majtë, ka pas lëvizje non-stop, dhe në atë moment ka dal nga vetura”, deklaronte Ilir Haxhiaj në Gjykatë.Në vazhdimësi të dëshmisë së tij të cilën e ka siguruar të plotë gazeta Nacionale, Ilir Haxhiaj kishte treguar se si e kishte ndihmuar bashkëshorten e tij, i kishte dhënë frymë artificale, dhe kishte tentuar ta ndalonte një shofer kamioni për të ndihmuar. Por, këtu del një tjetër kontradiktë e thellë, të cilën vetë Ilir Haxhiaj e kishte thënë me gojën e tijë. Ai me datën 01 shkurt 2021, kishte treguar në detaje se çka kishte vepruar pas ngjarjes tragjike. Kishte shkuar në shtëpi, e kishte lënë bashëshorten në atë gjendje në veturë, dhe kishte hyrë në shtëpi e kishte pirë kafe. “I akuzuari ka deklaruar se pas rastit kritik ka ardhur në shtëpi, në oborr e ka ndalur vetën dhe ka dale jashtë, e ka hapur derën dhe i është drejtuar të ndjerës ‘qu, erdhëm në shtëpi, është ma fllad pusho’. E njëjta nuk ka folur dhe as nuk ka lëvizur. Ai ka hyrë brenda në shtëpi, ka përgatit kafen vetit, e ka pirë një gjysmë-kafe dhe ka dalur përjashta dhe kur i është afruar veturës, i është afruar të ndjerës ‘qu hyrë brenda pusho’”, thuhet në dosjen e lëndës të siguruar nga Nacionale. Gjykatat e shkallëve të tjera, këtë rrethanë e morën si rënduese, duke theksuar se nëse qëllimi i të akuzuarit do të ishte ta ndihmonte të ndjerën, do ta dërgonte menjëherë në ambulancë. Madje, mos-dhënia e ndihmës, është edhe vepër penale sipas Kodit Penal në Kosovë. Asnjë prej këtyre provave e dëshmive, nuk përmenden në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili thekson se nuk është arritur të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari e ka kryer veprën.Një tjetër provë e rëndësishme e konstatuar nga gjykatat e tjera, del se u anashkalua në vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme. Nacionale ka siguruar raportet e plota të Policisë së Kosovës, fotografitë nga vendi i ngjarjes, dhe vizatimet teknike që dëshmojnë ku është gjetur trupi, dhe ku janë gjetur provat e tjera. Bash në vendin ku ishte vetura, ishte edhe trupi i Hatije Dinës. Sipas ekspertizës të trafikut, nëse ajo do të kërcente nga vetura në lëvizje, kjo do të ishte e pamundur. Kurse, në të njëjtin vend, janë gjetur gjurmë të gjaku, dhe qime të flokëve të të ndjerës. “Në vendin e ngjarjes, anën e djathtë është gjetur gjak, ku ishin disa qime të flokëve të të ndjerës, që sjell në përfundimin se koka e saj është goditur në asafalt, ku kanë mbetur gjurmët e gjakut dhe qimet e flokëve”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren.Bazuar në raportet e Policisë së Kosovës, shihet rruga ku ka ndodhur ngjarja. Shihen njollat e gjakut në rrugë, ku ishin edhe qimet e flokëve në të, çka kishte përforcuar dyshimet se e ndjera ishte goditur fizikisht me kokë për asfalti. Në fotografitë e tjera të veturës e cila është shfrytëzuar në këtë rast, shihen njolla të gjakut pothuajse në të gjitha ulëset e pasme. Policia ka gjetur edhe një boks të hekurit, kaçavidë dhe çekan.
Marrë për bazë të gjitha këto prova, familja e Hatije Dinës, ka ngritur dyshime se dikush mund të ketë ndikuar në vendimin përfundimtar të Gjykatës. “Qysh ndihen fëmijët kur prindi nuk e ka marrë dënimin e merituar? Tri herë gjykata e shpalli të fajshëm me krejt provat e tash herën e tretë të pafajshëm sepse ia kan mbush gushën pare?”, thuhet në reagimin e familjes për Nacionalen.
Dyshime të njëjta ka edhe Liridona Sijarina nga Kolektivi Feminist. Kjo e fundit, ka mbetur jashtëzakonisht e shqetësuar me vendimin e fundit të Gjykatës Supreme. Sipas saj, Gjykata është mbështetur në një realitet që nuk dëshmohet, pra duke fajësuar viktimën që ka kërcyer nga vetura. “Është jashtëzakonisht shqetësues dhe revoltues duke qenë se një kornizim i tillë i vrasjes e vendosë atë brenda një vakumi rrethanor dhe e bazon të gjithë gjykimin mbi një probabilitet të padëshmuar. Të merret për bazë vetëm një hipotezë mundësie e cila nuk është e dëshmuar dhe të injorohen dëshmitë e gjetura dhe ato gojore të fëmijëve të viktimës për mua ngreh dyshime që përveç patriarkalitetit, mund të ketë pasur edhe faktorë tjerë korruptiv që mund të çojnë në një vendim të tillë të paparamendueshëm”, ka thënë Sijarina për Nacionalen.
Historia e një gjykimi me tri dënime
Ilir Haxhiaj ishte dënuar tri herë me nga 15 vjet burgim.
Herën e parë ai u dënua me 11 shkurt 2021 nga Gjykata Themelore në Prizren. Më 15 maj 2021, Gjykata e Apelit e konfirmoi këtë vendim, kurse më 10 nëntor 2021, Gjykata Supreme e ktheu rastin në rigjykim.
Herën e dytë, pasi rasti u kthye në rigjykim, Ilir Haxhiaj u dënua më 17 janar të vitit 2023, sërish nga Gjykata e shkallës së parë në Prizren. Më 25 prill 2023, Gjykata e Apelit sërish e konfirmoi dënimin. Më 12 shkurt 2023, Gjykata Supreme sërish e ktheu rastin në rigjykim.
Për herën e tretë, Ilir Haxhiaj u dënua sërish më 31 korrik 2024 nga Gjykata Themelore në Prizren. Më 14 janar 2025, për herën e tretë, Apeli konfirmoi dënimin. E në fund, Gjykata Supreme e liroi të akuzuarin si të pafajshëm. Për dallim nga dy herët e para, për shpalljen e Ilir Haxhiajt të pafajshëm, Gjykatës Supreme vendimi i fundit i mori kohë mbi 1 vjet e dy muaj.
Duke marrë për bazë këtë situatë, pyetja që ngrihet nga familja në këtë rast është e vetme: “Si është e mundur që një element kaq thelbësor, siç pretendon Gjykata Supreme, nuk e vërejtën dhjetëra gjyqtarë të tjerë të shkallës së parë dhe Apelit, ku të gjithë konstatuan vendimin e fajësisë?”.
Kur Ilir Haxhiaj ishte dënuar me 15 vjet burg, në Prizren kishte pasur edhe protesta. Kërkohej që rasti të trajtohet si vrasje. Megjithatë, krejt në fund, as vrasje, as lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen. Një jetë e humbur, një gjak i tharë pa drejtësi.

