Ka nisur seanca për zgjedhjen e presidentit të vendit. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka thirrur seancën, të cilës i është referuar si “diskutim” lidhur me këtë temë.
Me rreth 30 minuta vonesë, ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohet rreth çështjes së Presidentit.
Opozita nuk po merr pjesë në këtë seancë.
Thirrja e kësaj seance vjen një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.
Në rast se nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Lëvizja Vetëvendosje të shtunën pas mbledhjes së kryesisë së partisë, doli me një propozim të ri, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e dhjetë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka përsëritur se tema për çështjen e presidentit të vendit është e përmbyllur dhe se për partinë e tij ftesa për seancë të jashtëzakonshme është joserioze.
Sipas tij, një veprim i tillë ka qëllim manipulimin dhe se nuk prodhon rezultat.
Ai ka thënë se i vetmi fajtor pse vendi mund të shkojë në zgjedhje është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Para pak çastesh e pranuam edhe një ftesë për seancë të Kuvendit të kosovës, me një pikë të vetme, zgjidhjen e presidentit të vendit. Është një veprim joserioz. Ka për qëllim manipulimin, një veprim që nuk prodhon rezultat. Një veprim që vendi po shkon në zgjedhje dhe përgjergjës është Kurti.”, ka thënë Hamza.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku po të shtunën përmendi mundësinë e përfshirjes së emrit të Vjosa Osmanit në diskutime.
“LDK mund të propozojë edhe emra, s’kemi nevojë me i propozu tre, e propozojmë një. Mundet me qenë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregon ai a i ka 66 vota për këtë president, por njehërë duhet të vendosë a dëshiron marrëveshje”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.

