Tashmë ka nisur seanca e thirrur për të diskutuar rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit të vendit.
Sikurse edhe në dy seancat e djeshme dhe atë që u paralajmërua për sot në orën 10:00, Vetëvendosja është sërish e vetme në sallë.
Opozita ka vendosur që ta bojkotoj këtë seancë, duke mos qenë të pranishëm.
Në nisje të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë sërish thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në votim, duke u bazuar në detyrimet për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit nga aktgjykime të ndryshme dhe sipas Ligjit për Deputetët.
Sipas këtij ligji, deputetët kanë obligim të marrin pjesë në seanca dhe të njoftojnë Kryetarin e Kuvendit për mungesat e tyre.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese kishte sqaruar më 2016, në rastin e zgjedhjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, se nuk është kriter kushtetues që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për zgjedhjen e presidentit, por mjafton përmbushja e shumicës së përcaktuar në Kushtetutë prej 80 deputetësh.

