Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka miratuar pjesërisht kërkesat për të hyrat e operatorëve të kësaj fushe, duke shmangur j shtrejntimin e energjisë elektrike.
Kësisoj, të hyrat e lejuara maksimale të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (KOSTT) nga sot do të jenë 76 milionë euro. Të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) 185 milionë euro dhe për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO) 442 milionë euro.
Këto ndryshime të të hyrave maksimale u morën në mbledhjen e ZRRE-së, me arsyetimin që të mos rrezikohet siguria e furnizimit apo mos prodhimit nga gjeneratorët vendor.
Muharrem Gashi nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, u arsyetua se me rritjen e importit duhet ndryshuar të hyrat maksimale.
Kërkesa nga KOSTT ka qenë rreth 99 milionë euro, 23 përqind më e lartë sesa vlera e vendosur nga ZRRE-ja.
“Gjatë 2025 për shkak rritjes së kërkesës për prodhim vendor, i cili ka qenë më i ulët, është rritur nevoja për import. Procesi i konsultimit ka kaluar në të gjitha fazat e parapara të rregullatorit, duke filluar nga pranimi i aplikacioneve, publikimi i raporteve muajin prill 2026. Gjatë këtij procesi kemi pranuar komente nga 5 kompani KEK, KOSTT, KEDS, KESCO dhe organizata e shoqërisë civile INDEP… Kërkesa në aplikacionin për të hyrat e lejuara maksimale të operatorit të sistemit të transmetimit KOSTT, ka qenë rreth 99 milionë, ndërsa propozimi përfundimtarë i ZRRE është rreth 76 milionë që nënkupton rreth 23 për qind më e ulët sesa vlera e paraqitur në aplikacionin e KOSTT-it. Përfshinë shpenzimet operative, zhvlerësimin e kthimit e lejuar që lidhen me investimet kapitale, janë trajtuar kostot e humbjeve, ndihmëse dhe faktorët e përshtatjes e korrigjimit”, tha Gashi.
Ndërsa për operatorin e sistemit të shpërndarjes -KEDS, nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, Adelina Lokaj përmendi kërkesën prej 235 milionë euro.
Po ashtu nga ZRRE, është marrë në konsideratë faktori i përshtatjes së të hyrave i aplikuar për të adresuar devijimet e viteve paraprake, raporton KosovaPress, transmeton Klankosova.tv.
Lokaj tha se pas komenteve të pranuara nga OSSH-ja, ZRRE ka përditësuar blerjet e humbjeve me të dhënat e realizuara për muajin mars 2026 si dhe ka përditësuar çmimin e supozuar të importit për muajt e mbetur të vitit prill dhjetor 2026 me 2.65 €/MWh.

