Rrjeti i Grave të Kosovës i është drejtuar kryeministrit në detyrë dhe ministrive përgjegjëse me kërkesë urgjente për sigurimin e financimit emergjent dhe zgjidhjeve afatgjata për funksionimin e pandërprerë të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Në letrën drejtuar akterëve, RRGK ka shkruar se funksionimi i strehimoreve po vihet seriozisht në rrezik për shkak të mungesës së mbështetjes financiare. Ka shtuar tutje se gratë e fëmijët viktima të dhunës mbesin të ekspozuar ndaj rrezikut nëse shteti dështon në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore.
RRGK ka sqaruar se Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka hapur gjatë muajit prill thirrjen publike për mbështetje financiare të projekteve të OJQ-ve të licencuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare. Por, ka theksuar se duke marrë parasysh kohëzgjatjen e procedurave të vlerësimit dhe disbursimit të fondeve, ekziston një boshllëk kritik financiar gjatë muajit maj, periudhë gjatë së cilës strehimoret rrezikojnë të mbesin pa mjete për mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të stafit.
“Kjo situatë rrezikon drejtpërdrejt vazhdimësinë e shërbimeve jetike që këto strehimore ofrojnë, duke lënë viktimat e dhunës pa strehim, mbrojtje dhe mbështetje pikërisht në momentin kur ato janë më së shumti në nevojë. Ndërprerja e këtyre shërbimeve do të kishte pasoja të rënda për sigurinë dhe mirëqenien e viktimave, si dhe do të cenonte përpjekjet institucionale për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në letër.
RRGK ka paraqitur tri kërkesa ndaj institucioneve: Të sigurojnë një zgjidhje emergjente financiare për mbulimin e shpenzimeve të strehimoreve gjatë muajit maj 2026; Të krijojnë një mekanizëm të përkohshëm (si p.sh. fond emergjent) për adresimin e boshllëqeve financiare gjatë periudhave tranzitore; Të ndërmarrin hapa konkretë drejt krijimit të një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjate për financimin e strehimoreve, përfshirë kontraktimin shumëvjeçar të shërbimeve sociale.
Letra i është adresuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, ministrit në detyrë për Punë, Andin Hoti, dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

