Kryetarja e Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës, Nexhmije Gori, ka ngritur alarmin për largimin masiv të infermierëve dhe profesionistëve shëndetësorë nga Kosova, duke paralajmëruar se vendi në të ardhmen mund të përballet me mungesë serioze të stafit shëndetësor.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gori tha se infermierët po largohen drejt vendeve që ofrojnë paga dhe kushte më të mira pune, ndërsa theksoi se kjo po e rrezikon të ardhmen e sistemit shëndetësor në Kosovë.
“Sot infermieria kosovare po merr rrugën e largimit drejt vendeve ku ka kushte dhe paga më të mira. Në të ardhmen mund të mbesim pa infermierë apo pa staf me përvojë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, Oda e Infermierëve ka ndërmarrë disa hapa për të motivuar profesionistët shëndetësorë që të vazhdojnë punën në Kosovë. Ajo bëri të ditur se është nënshkruar marrëveshje me një avokat për përfaqësimin ligjor të infermierëve në konteste pune dhe procese gjyqësore, si dhe marrëveshje për sigurime të jetës dhe sigurime shëndetësore për komunitetin e infermierëve.
Megjithatë, Gori tha se këto masa nuk janë të mjaftueshme pa përmirësim të kushteve të punës, rritje të pagave dhe përfshirje më të madhe të infermierëve në vendimmarrje.
Ajo ngriti shqetësim edhe për moskompensimin e infermierëve gjatë vikendeve dhe festave zyrtare, duke thënë se ndryshe nga stafi tjetër shëndetësor, infermierët shpesh mbesin pa pagesa shtesë.
“Infermierët punojnë 24 orë në 7 ditë të javës, me ngarkesë të madhe fizike dhe psikike. Është shqetësuese që ata nuk paguhen për vikende dhe festa, ndërkohë që stafi tjetër kompensohet”, tha Gori.
Në fund, ajo theksoi se përmirësimi i gjendjes në sektorin shëndetësor kërkon angazhim të përbashkët nga institucionet, qeveria dhe vetë stafi shëndetësor.

