“Bashkimi i madh” i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i proklamuar nga kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku, është duke hasur në rezistencë.
Të hënën Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, propozoi ndër kandidatët për deputetë edhe ish-kryetarin e kësaj komune, Agim Veliu.
Abdixhiku e përshëndeti vendimin duke thënë se është “hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh”.
Por, nuk vonoi shumë dhe Veliu tha se refuzon të jetë pjesë e listës së LDK-së për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Ai akuzoi kreun e partisë Lumir Abdixhiku dhe ish-presidenten Vjosa Osmani.
“Ajo, bashkë me Lumirin, mashtrimin dhe përdorimin e madh e ambalazhuan në ‘Bashkim të madh të djathtistëve’. Pikërisht për këto arsye, me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit”, ka shkruar Veliu në Facebook.
“Bashkimi i madh” fillimisht nisi me kthimin e Vjosa Osmanit, duke u përfshirë në listën e LDK-së.
Kthimi u zyrtarizua në një tubim të dielën, e në të cilin pati mungesa, përfshirë atë të Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Kujtim Shalës e Janina Ymeri, ndër të tjerë.
“Sepse ka kohë që Kosova pret një frymë si kjo. Një frymë bashkimi. Një frymë afërsie. Një frymë që i bën njerëzit të besojnë përsëri se politika mund të shërbejë, mund të ndërtojë dhe mund të bashkojë. Dhe pikërisht këtë frymë po e nisim sonte nga Prishtina. Me njerëz që nuk janë lodhur së besuari. Me njerëz që nuk janë dorëzuar. Me njerëz që e duan këtë vend më shumë se ndarjet politike. Sonte, pas shumë vitesh largimesh, zhgënjimesh e keqkuptimesh, po japim një mesazh të madh për Republikën. Ky mesazh na thotë se njerëzit e këtij vendi dinë të bashkohen kur Kosova ka nevojë. Dinë të kapërcejnë veten, e dinë të krijojnë momentume që definojnë kohë! Kjo është koha jonë sot! Dhe Kosova ka nevojë për kohën tonë. Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim politik që ndërprenë pangopësinë politike populliste. Kosova ka nevojë për Lidhjen Demokratike!” – tha Abdixhiku në fjalimin të dielën.

