Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti ka nisur ekzekutimin e pagesave në kuadër të pakos mbështetëse “Inflacioni 2.0”, e cila parasheh ndihmë financiare për disa kategori të qytetarëve në përballje me rritjen e çmimeve.
Sipas njoftimeve, kanë nisur pagesat për lehonat , ndërsa është realizuar edhe ekzekutimi i mjeteve për pensionistët dhe fëmijët në gjithë Kosovën.
Pakoja parasheh mbështetje financiare prej 100 eurosh për pensionistët, studentët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat, derisa lehonat do të përfitojnë edhe nga rritja e mbështetjes mujore.
Njohës të ekonomisë dhe ish-zyrtarë kanë dhënë vlerësime të ndryshme për këtë pako, duke e konsideruar atë si ndihmë të mirëseardhur sociale për qytetarët në kohë inflacioni, por njëkohësisht me efekt kryesisht afatshkurtër dhe me mundësi interpretimi edhe si masë elektorale.
Ish-zëvendësministri Gashi: Pakoja ndihmëse “Inflacioni 2.0 ” ka efekt afatshkurtër në ekonomi
Ish-zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, vlerëson se këto masa nga qeveria në detyrë mund të shihen nga dy këndvështrime: social-ekonomik dhe politik-elektoral.
Sipas tij, nga aspekti social ndihmat janë të mirëpritura për shumë familje, sidomos në një periudhë kur çmimet e ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve bazë vazhdojnë të mbeten të larta, duke rënduar jetesën e qytetarëve me të ardhura më të ulëta.
‘’Këto masa mund të shihen nga dy këndvështrime: nga aspekti social dhe ekonomik; dhe nga aspekti politik e elektoral. Nga aspekti social, ndihmat janë reale dhe të mirëpritura për shumë familje. Në një kohë kur çmimet e ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve bazë kanë mbetur të larta, çdo mbështetje financiare ndihmon sidomos pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta. Inflacioni në Evropë vazhdon të jetë mbi nivelet normale, ndërsa kostoja e jetesës mbetet sfiduese edhe në Kosovë ’’, tha Gashi për FrontOnline.
Megjithatë, Gashi konsideron se nga aspekti ekonomik këto masa kanë efekt kryesisht afatshkurtër, pasi ndihmojnë përkohësisht konsumatorët, por nuk adresojnë problemet kryesore të ekonomisë, si pagat e ulëta, varësia nga importi, mungesa e prodhimit vendor dhe rritja strukturore e çmimeve.
‘’ Megjithatë, nga aspekti ekonomik, këto masa kanë efekt kryesisht afatshkurtër. Ato lehtësojnë konsumatorin për një periudhë të kufizuar, por nuk e zgjidhin problemin themelor: pagat e ulëta; varësinë nga importi; mungesën e prodhimit vendor; dhe rritjen strukturore të çmimeve’’, deklaron ish zëvendës-ministri Gashi.
Gashi tha se Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtar dhe ekonomi të varur nga importi, prandaj pakot sociale ndikojnë më shumë në lehtësimin e konsumit sesa në zhvillimin e ekonomisë prodhuese.
Ai shton se pa investime, reforma ekonomike dhe rritje të qëndrueshme të pagave, efekti i këtyre masave zbehet shpejt.
‘’Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtar dhe ekonomi të varur nga importi, prandaj pakot sociale ndihmojnë konsumatorin, por jo domosdoshmërish ekonominë prodhuese. Nëse këto masa nuk shoqërohen me investime, reforma ekonomike dhe rritje të qëndrueshme të pagave, efekti i tyre zbehet shpejt’’, tha Gashi për FrontOnline.
Sipas Ish zëvendës ministrit Gashi nga aspekti politik është e pritshme që këto vendime të interpretohen edhe si masa me ndikim elektoral, veçanërisht kur ndërmerren në periudha zgjedhore ose tensionesh politike.
‘’Nga aspekti politik, është e pashmangshme që këto vendime të interpretohen edhe si masa me ndikim elektoral, sidomos kur ndodhin në prag zgjedhjesh ose në periudhë tensioni politik. Këto zakonisht i konsiderohen si pako elektorale’’, thotë Gashi.
Në fund, ai ngre pyetjen nëse Kosova do të arrijë të kalojë nga pakot sociale periodike në politika që krijojnë paga më të larta, prodhim vendor dhe vende pune më cilësore.
‘’ Pyetja kryesore mbetet: a do të kalojë Kosova nga “pakot sociale periodike” në politika që krijojnë paga më të larta, prodhim vendor dhe vende pune më cilësore’’, përfundon Gashi.
Profesori i ekonomisë: Mjetet financiare që po ndahen nga Kurti janë pjesë e korrupsionit, jo blerje vote
Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka kritikuar mënyrën e shpërndarjes së pakove financiare nga Qeveria Kurti, duke vlerësuar se këto politika po ndikojnë në rritjen e inflacionit në vend.
Në një deklaratë për FrontOnline, Misini tha se shpërndarja e mjeteve financiare po bëhet “pa vizion, pa projeksion buxhetor dhe pa qëllim të shtimit të vlerës së parasë”, duke shtuar se kjo qasje nuk e zbut inflacionin, por e prodhon atë.
‘’ Këto pakot po shpërndahen pa vizion pa projeksion buxhetor e pa qëllim të shtimit vlerës së parasë dhe kjo prodhon inflacion’’, tha Misini për FrontOnline.
Sipas profesorit të ekonomisë , ndihmat mund të kenë efekt afatshkurtër për shkak të nevojave emergjente të qytetarëve, mirëpo mungesa e investimeve strategjike dhe mosrritja e vlerës ekonomike do të sjellin pasoja afatgjata në ekonomi.
‘’ Pra qeveria Kurti do të prodhojë inflacion nuk do ta zbusë, do ta zbusë në periudhën afat shkurt për shkak të nevojave emergjente që kanë qytetarët e Kosovës mirëpo shkenca e argumenton që mungesa e investimeve pa ndonjë strategji të mirëfilltë dhe pa shtim vlerë prodhon inflacion’’, tha Misini për FrontOnline.
Misini shkoi më tej duke e cilësuar këtë mënyrë të ndarjes së mjeteve si pjesë të korrupsionit, duke thënë se qeveria do të duhej të fokusohej në sigurime shëndetësore për fëmijët dhe barna esenciale për të moshuarit, në vend të rritjes së konsumit përmes shpërndarjes së parave.
‘’Mjetet financiare që ndahen ashtu është një përpjesëtim të një vepre penale të cilën po e bën Kurti dhe është pjesë e korrupsionit, nuk është blerje e votës por është korrupsion sepse qeveria aktuale më mirë kishte qenë të bënte sigurime shëndetësore për fëmijët tonë të kemi barna esenciale të moshuarit të cilët kanë nevojë për to e jo të shpërndajnë mjetë financiare për të rritur konsumin, ne jeni bërë shtet konusumues dhe nuk shtojmë vlerë’’, tha për FrontOnline profesori Misini.
Misini paralajmëroi se Kosova po shndërrohet në një shtet konsumues pa krijim të vlerës së re ekonomike dhe se stabilizimi i inflacionit, sipas tij, nuk pritet para mesit të vitit 2028.
‘’Do të kemi rritje të vazhdueshme të inflacionit, stabilizim inflacioni do të kemi në mesin e vitit 2028 nuk do të kemi stabilizim sepse qeveria nuk ka marrë ndonjë vendim të mirë kjo mënyrë është shumë e ulët kur nuk ka strategji’’, përfundon Misini.
Muhaxheri: Shpërndarja e 100 eurove nga qeveria nuk e zhvillon Kosovën, por e varfëron atë
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, ka kritikuar pakon “Inflacioni 2.0” të Qeverisë Kurti, duke thënë se shpërndarja e 100 eurove për kategori të ndryshme nuk do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Muhaxheri vlerëson se kjo masë mund të ketë efekt vetëm të përkohshëm, ndërsa në muajt në vazhdim mund të ndikojë në rritjen e inflacionit dhe ngritjen e çmimeve.
‘’Si profesionist, nëse them se çdo ndihmë është e mirëseardhur do të ishte klishe, por jo çdo zhvillim nga qeveria do të ishte i mirëseardhur, sepse shpërndarja e 100 eurove nuk e zhvillon Kosovën, por e varfëron atë. Mund të konsiderohen të dobishme momentalisht, por këto 100 euro do t’u kushtojnë shtrenjtë qytetarëve të Kosovës në muajt në vazhdim, pasi do të shkaktojnë rritje të inflacionit dhe si rrjedhojë do të kemi edhe çmime më të larta’’, tha Muhaxheri për FrontOnline.
Muhaxheri ka shprehur shqetësim edhe për mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve, duke konsideruar se shumë kategori janë lënë jashtë pakos, ndonëse kontribuojnë me taksa për shtetin.
‘’ Pastaj të mos flasim për diskriminimin që i është bërë shumë kategorive, sepse të gjitha kategoritë paguajnë tatim për shtetin. Pse dikush t’i gëzojë këto 100 euro e dikush tjetër jo? Pra, përveç që ekonomikisht nuk ka me ia pa hajrin ekonomia e Kosovës, nuk do t’u ndihmojnë as kategorive të cilave ua kanë shpërndarë’’, u shpreh Muhaxheri.
Sipas Muhaxherit , qytetarët kanë nevojë për politika më të qëndrueshme ekonomike, paga më të mira dhe pensione më dinjitoze, e jo për ndihma të njëhershme financiare.
‘’Më shumë se për lëmoshë, qytetarët kanë nevojë për paga më të mira dhe të qëndrueshme, për pensione më të mira etj’’, përfundon Muhaxheri.
Jakup Bellaqa: Pakoja “Inflacioni 2.0” e vonuar, por e mirëseardhur për qytetarët
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka vlerësuar se ndihma financiare e Qeverisë në detyrë në kuadër të pakos mbështetëse “Inflacioni 2.0”, ndonëse e vonuar, mbetet e mirëseardhur për qytetarët.
Sipas tij, kjo pako synon të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës për kategoritë më të prekura të shoqërisë.
‘’ Ndihma financiare e Qeverisë në detyre qe e ka miratuar pakon mbështetëse ” Inflacioni 2.0″. e cila synon të zbues ndiko ndikimin e rritjes se çmimeve dhe kostos se jetës për kategoritë me të prekura të shoqërisë pak e vonuar por prapë e mirëseardhur’’, tha Bellaqa për FrontOnline.
Bellqaq konsideron se kjo masë, në prag të fushatës, mund të tingëllojë edhe si efekt elektoral, por sipas tij duhet të vlerësohet si një ndihmë sociale dhe ekonomike me fokus në mbrojtjen e standardit jetësor, fuqizimin e familjes dhe lehtësimin e barrës financiare gjatë periudhës së inflacionit.
Bellaqa përmendi edhe të dhënat e fundit të ASK-së, sipas të cilave inflacioni ka arritur në rreth 7.5 për qind, duke e cilësuar këtë nivel si të papërballueshëm për shumë ekonomi familjare në Kosovë.
‘’Kjo mase në prag te fushate tingëllon efekt elektoral por duhet te vlerësohet si një ndihme sociale dhe ekonomike me fokus në mbrojtjen e standardit jetësore dhe fuqizimin e familjes dhe lehtësimin e bazës financiare në periudhe inflacioni ku publikimi I fundit nga ASK-ja për muajin e kaluar rreth 7.5 përqind qe është e papërballueshme për shportën e ekonomive familjare’’, përfundon Bellaqa.

