Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar zëvendësministrin Avni Zogiani për shpifje për shkak të një postimi në “Facebook” kundër ish-deputetit të PDK-së, Ferat Shala.
Ish-deputeti Shala nëpërmjet avokatit të tij, Labinot Vata kishte ushtruar padi ndaj Zogianit për shpifje për çfarë Gjykata Themelore e ka dënuar zyrtarin e Vetëvendosje me mbi 2 mijë euro.
Në aktgjykimin të cilin e ka siguruar gazeta “Epoka e re”, Zogiani obligohet që brenda 15 ditësh ta paguajë dënimin si dhe ta fshijë postimin në “Facebook” të cilin e kishte shkruar kundër Shalës.
“APROVOHET pjesërisht e bazuar kërkesëpadia e paditësit Ferat Shala nga Prishtina, ashtu që detyrohet i padituri Avni Zogiani nga Prishtina, që në emër të dëmit jo material për shkak të shpifjes përmes publikimit në rrjetin e tij social – personal në ‘Facebook’ me datën 27.12.2023, me përshkrimin: ‘Kjo foto tregon monopolin e vetëm një pjese të familjes së Ferat Shalës në sektorin publik! Dje Ferat Shala e çoi ligjin për Fondin Sovran në Gjykatë Kushtetuese me pretendimin që ky ligj krijon monopol!’, t’ia paguajë shumën prej 2,000.00 euro, me kamatë ligjore prej 8% nga dita e nxjerrjes së këtij aktgjykimi datë 21.05.2026 e deri në pagesën definitive të detyrimit, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 270.40 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit me dhunë”, është thënë në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndaj këtij aktgjykimi, Zogiani ka të drejtë të ankohet në gjykatën kompetente.


