Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznese, Agim Shahini, ka kritikuar vendimin e ATK-së për ndalimin e pagesave me para të gatshme mbi 2,000 euro.
Shahini tha se përfituesit kryesorë të kësaj mase do të jenë bankat, jo shteti.
“ATK është ngutur që të marrë një vendim të tillë dhe një vendim i tillë nuk besoj që do t’i sjellë përfitim më shumë shtetit, përpos bankave,” tha ai për Ekonomia Online.
Sipas tij, vendimi godet veçanërisht diasporën me pasaportë të huaj, e cila nuk mund të hapë llogari bankare në Kosovë.
Shahini argumentoi se informaliteti duhet luftuar përmes arkave fiskale, jo kufizimit të pagesave cash.

