“Unë e kam pranuar Marrëveshjen [e Bruksel/Ohrit]… ajo nuk është e shkëlqyeshme.”
Kjo ishte deklarata e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, më 31 maj 2026, për marrëveshjen që dikur e kishte paraqitur si një suksesin më të madh diplomatike të Kosovës.
Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit ishte shpallur nga Kurti në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes si “arritja më e madhe në politikën e jashtme”.
Sipas tij, ujdia e modeluar mbi marrëdhëniet mes dy Gjermanive përfaqësonte një kapërcim të madh ndërkombëtar të arritur në tryezën e dialogut në Bruksel, shkruan Nacionale.
Diplomatët amerikanë dhe evropianë e shpjegonin marrëveshjen mbi dy shtylla kryesore.
E para ishte Neni 4, që parashihte mospengimin e Kosovës nga Serbia për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
E dyta ishte Neni 7, i cili fliste për “vetëmenaxhim për komunitetin serb”, i konstatuar për formë autonomie politike dhe territoriale.
Me këto dy elemente, Kurti argumentonte se Kosova kishte siguruar “së paku njohje de-facto”.
Ai theksonte se marrëveshja mbështetej në parimet e Kartës së OKB-së, duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial.
Vetëvendosje e paraqiste marrëveshjen si një sukses aq të madh, sa pretendonte se Serbia po shmangej nga nënshkrimi i saj.
Në rrjete sociale shtysë i jepni karikatura të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke iu ikur firmosjes së marrëveshjes.
Tani, megjithatë, Kurti thotë se marrëveshja “nuk është e shkëlqyeshme”, por mbetet “bazë e mirë për të ecur tutje”.
Në një intervistë për Kanal 10, ai u pyet nëse marrëveshja vazhdon të jetë valide.
“Dialogu nuk ka vdekur. Dialogu ka pasur sukses. Ka rezultuar me marrëveshje. Problemi është që marrëveshjen s’po e nënshkruan Serbia. Përveç që s’po e nënshkruan, nuk po e respekton. Neni katër i marrëveshjes thotë që mos me penguar Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Serbia përditë po e shkel. Çfarë kam faj unë? Unë e kam pranuar marrëveshjen”, tha ai.
“Marrëveshja nuk është e shkëlqyeshme, por është bazë e mirë për më tutje. Beogradi ka besuar që unë do të them jo. Ata kanë thënë po, por më pas kanë refuzuar të nënshkruajnë. Pa nënshkrim të marrëveshjes nuk ekziston siguria juridike, kredibiliteti i procesit dhe mirëbesimi i palëve”, shtoi Kurti.
Megjithatë, marrëveshja është trajtuar si detyrim ndërkombëtar për të dyja palët edhe pa firmosje bilaterale.
Serbisë i është amandamentuar Kapitulli 35 i negociatave me Bashkimin Evropian.
Kosovës, ndërkaq, i është kushtëzuar përparimi në integrimet euro-atlantike me zbatimin e saj.
Kurti vazhdoi të argumentojë se Asociacioni është bërë i tejkaluar.
“Arsimi dhe Shëndetësia paralele serbe, vetëm këto dyja kanë mbetur”, deklaroi ai.
Sipas tij, me integrimin e tyre në sistemin e Kosovës, Asociacioni do të tejkalohej.
Deklarata erdhi vetëm një ditë pas komunikatës së Bashkimit Evropian të 30 majit 2026.
BE-ja theksoi se çdo veprim që prek institucionet paralele të arsimit dhe shëndetësisë duhet të zhvillohet brenda kornizës së marrëveshjeve të Brukselit.
“Çdo proces që prek institucionet shëndetësore dhe arsimore duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i koordinuar me komunitetin serb, brenda kornizës së të gjitha marrëveshjeve relevante”, thuhej në reagim.
“Zbatimi i plotë i Marrëveshjes mbi Rrugën drejt Normalizimit është ndër kushtet thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës”, theksoi BE-ja.


