Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar kompaninë “Muqa Solar”, të cilën e cilësoi si një shembull të investimeve të mençura që krijojnë vlerë për ekonominë dhe mirëqenie për qytetarët.
Hamza theksoi se zhvillimi ekonomik i Kosovës duhet të mbështetet tek bizneset prodhuese, inovative dhe investimet në energjinë e pastër, të cilat krijojnë vende të reja pune dhe rrisin konkurrueshmërinë e vendit.
“Muqa Solar është dëshmi se investimet e mençura krijojnë vlerë për ekonominë dhe mirëqenie për qytetarët. Bizneset që investojnë, hapin vende pune dhe sjellin inovacion do ta kenë gjithmonë mbështetjen e shtetit në qeverisjen time”, deklaroi Hamza.
Ai kritikoi qeverinë aktuale për mungesën e rezultateve konkrete në zhvillimin ekonomik dhe realizimin e projekteve kapitale, duke theksuar se pas gati gjashtë vitesh qeverisje dhe shpenzime rekord, qytetarët ende presin investimet e premtuara.
“Ku janë autostradat, fabrikat, çerdhet, stadiumet, parqet solare, digat dhe shumë projekte të tjera që iu premtuan qytetarëve?”, pyeti Hamza.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për një qeveri që e sheh sektorin privat si partner zhvillimi dhe që krijon kushte më të mira për investime, me tatime më të ulëta, më shumë mbështetje për bizneset dhe politika që nxisin prodhimin vendor.
Hamza vlerësoi se qytetarët tashmë e kanë kuptuar dështimin e qeverisë aktuale dhe se zgjedhjet e 7 qershorit janë mundësi për një drejtim të ri zhvillimor për vendin.
“Stop krizës. Ndrysho Kosovën”, përfundoi Hamza.

