Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar seancën fillestare ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.
Në njoftim shtohet edhe se, sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit kanë qenë të pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës.
‘’ Njoftohen të pandehurit dhe gjithë opinioni publik se seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë Hajvali, Objekti D, me datë 20.07.2026, në ora 10:00 nga Kryetarja e Trupit Gjykues, Violeta Namani’’, thuhet në njoftim.
Komunikata e plotë:
Prishtinë 10 Qershor 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, njofton opinionin publik se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PS.nr.88/2025, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës – PPS.nr.68/2021 të datës 30.12.2025, kundër të pandehurve Obrad Stevanoviç, Radomir Markoviç, Krsmam Jeliç, Goran Radosavljeviç, Zhivko Trajkoviç, Bogoljub Janiçeviç, Milan Lekiç, Radomir Miliç, Dragan Djorgoviç, Branko Mladenoviç, Dragan Jasoviç, Momçilo Sparavalo, Darko Amanoviç, Srboljub Vujinoviç, Bozhidar Marinkoviç, Zoran Stanojeviç, Milan Josanoviç, Goran Petkoviç, Dragoslav Nikoliç, Çedomir Aksiç dhe Zvonimir Janiçijeviç, për shkak të veprës penale Krimet e Luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e inkriminuar tani sipas nenit 144,145,146 dhe 147 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit kanë qenë të pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës. Për këtë arsye, përmes këtij njoftimi ju bëhet thirrje të pandehurve, të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente.
Njoftohen të pandehurit dhe gjithë opinioni publik se seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë Hajvali, Objekti D, me datë 20.07.2026, në ora 10:00 nga Kryetarja e Trupit Gjykues, Violeta Namani.
Lidhur me këtë çështje penale, Aktakuza dhe ftesat për seancë janë të publikuara në web – faqe të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare. Gjykata Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale.

