Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka treguar se ka nënshkruar të premten kontratat për realizimin e punimeve për sanimin e skarpateve në autostradën Ibrahim Rugova (R7), pas përfundimit të procedurave dhe shqyrtimit të ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Një numër i madh i aksidenteve të trafikut janë raportuar në vazhdimësi në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Në të shumtën e rasteve këto aksidente ndodhën pikërisht në pjesën ku shembja e dheut e gurëve ishte bërë përditshmëri.
E është dashur shumë aksidente, e humbje jetësh që Ministrisë së Infrastrukturës “t’i dal gjumi” i thellë në të cilin është futur dhe s’ka parë para syve se çfarë po ndodhte në këtë anë.
Një aksident i ngjashëm i mori jetën të dielën një gruaje, ndërsa i lënduar mbeti edhe një person tjetër- pikërisht si shkak i aksidenti të ndodhur në këtë anë.
Kurse tani, ministria njofton se janë nënshkruar kontratat për sanimin e skarpateve në autoudhën R7, “Ibrahim Rugova”.
Në disa segmente të kësaj autoudhe, rrëshqitjet e dheut kanë ngushtuar korsitë e qarkullimit, duke ngritur shqetësime të vazhdueshme për sigurinë në trafik. Ditëve të fundit pati reagime të shumta nga ekspertë të sigurisë rrugore, të cilët kërkuan ndërhyrje urgjente për largimin e dheut dhe sanimin e zonave problematike.
Sipas njoftimit të ministrisë, pas përfundimit të procedurave të prokurimit dhe shqyrtimit të ankesave nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), janë nënshkruar kontratat për tri lote të veçanta:
Loti 1 – Sanimi i rrëshqitjes në kilometrin 72.4, me vlerë 2,087,952.94 euro;
Loti 2 – Sanimi i rrëshqitjeve në kilometrat 69.1 dhe 63.4, me vlerë 1,187,080.09 euro;
Loti 3 – Sanimi i rrëshqitjes në kilometrin 44.0, me vlerë 1,398,964.85 euro.
Vlera totale e projektit arrin në 4,673,997.88 euro.
Ministria ka bërë të ditur se mobilizimi i operatorëve ekonomikë dhe fillimi i punimeve pritet të ndodhë gjatë ditëve në vijim.
E pas kritikave të shumta në këtë drejtim, nga ministria u tha se projekti ka qenë në shqyrtim në OSHP dhe se nuk ka pasur mundësi ligjore të ndikojë në procesin e vendimmarrjes derisa procedurat të përfundonin.
Sipas ministrisë, ndërhyrjet synojnë rritjen e sigurisë për pjesëmarrësit në trafik dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore në një nga akset më të rëndësishme të vendit.

