Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka shfuqizuar vendimin e vitit 2007 për emërtimin e 11 rrugëve dhe një sheshi në Tetovë me emra figurash dhe ngjarjesh shqiptare.
Me vendimin, rikthehen emërtime nga periudha jugosllave, përfshirë “Marshall Tito”, “JNA” dhe “Lenin”.
Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahemtit e cilësoi vendimin si “kthim prapa” dhe paralajmëroi pasoja për marrëdhëniet ndëretnike.
“Kjo është goditje ndaj çdo vlere shqiptare dhe ndaj realitetit të ndërtuar pas vitit 2001”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, tha se po përgatitet një zgjidhje e re ligjore për ruajtjen e emërtimeve në gjuhën shqipe.

