Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, reagoi ndaj, siç e quan ai, qasjes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti ndaj Drenicës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Behrami tha se pas kësaj fushate qëndrojnë dy synime kryesore, të cilat sipas tij ndërlidhen drejtpërdrejt me procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.
“Fushata më e re e VV-së dhe Kurtit kundër Drenicës dhe UÇK-së i ka dy qëllime. 1. Nëse krerët e UÇK-së dënohen, të krijohet shtrati i pranimit të verdiktit, që të shuhet çdo reagim qytetar! 2. Nëse krerët e UÇK-së lirohen, të krijohet një ambient toksik që e bën rikthimin e tyre politik të pamundur. Kjo fushatë e ka vetëm një problem. Janë disa shtete në rajon që para Albin Kurtit kanë investuar gjatë në përçarjen e shqiptarëve, në ndarjet krahinore, por kanë dështuar. Edhe ky do të dështojë!”, shkroi Behrami.
Behrami vlerësoi se përpjekje të tilla nuk do të kenë sukses, duke shtuar se tentativa për të nxitur ndarje mes shqiptarëve ka dështuar edhe më herët pavarësisht investimeve të aktorëve të ndryshëm në rajon.

