Më 15 korrik, duke filluar nga ora 18:00, në Kroaci do të mbahet një protestë paqësore me kërkesën për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Mediat krotate i kanë dhënë jehonë protestës se paralajmëruar të 5 korrikut në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta do të mbahet në Zara të Kroacisë dhe është organizuar nga komuniteti shqiptar në këtë shtet.
Mediat krotate kanë cituar një deklaratë të kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
“E dimë që po i afrohemi fundit të procesit në Hagë. Shpresojmë që më 20 korrik vendimi të jetë në favorin tonë dhe që të gjitha përpjekjet e mbrojtjes të njihen. Të dielën, më 5 korrik, në orën 18:00, do të mbajmë një protestë të organizuar nga shqiptarët në Kroaci së bashku me miqtë kroatë “, tha Gucati.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së u bëri thirrje të gjithë emigrantëve që jetojnë në Kroaci, si dhe atyre që janë me pushime në Kroaci ose që kalojnë nëpër vend, t’i bashkohen protestës në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Protesta do të mbahet në një park në Zadar. Shpresoj që komuniteti shqiptar, i cili ka jetuar në Zadar me shekuj dhe gjithashtu ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në këtë protestë për çlirimtarët tanë, do të na bashkohet”, tha Gucati, duke shtuar se shpreson që kjo të jetë protesta e fundit, me besimin se çlirimtarët do të kthehen në Kosovë.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka deklaruar se pret që Gjykata Speciale të shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe duke vlerësuar se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të kriminalizohet.
“Gjykata Speciale është gjykatë e padrejtë. Vetë krijimi i saj ka qenë i dyshimtë për faktin se është krijuar në bazë të një raporti shpifës të Dick Martyt. Tani jemi në përfundim të gjykimit dhe ne shpresojmë shumë që ata të lirohen. Është e padrejtë nëse vendoset të dënohen, sepse lufta jonë ka qenë e drejtë dhe e pastër. Pretendimet e prokurorisë janë fyese, por ne shpresojmë që gjykata të marrë një vendim lirues”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka thënë se një vendim dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të interpretohej si dënim ndaj vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nëse qoftë edhe një ditë dënohen krerët e UÇK-së, i bie që dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Edhe faktori ndërkombëtar duhet ta dijë se nëse dënohen këta, preket liria e shtetit të Kosovës. Mendoj se nuk ka forcë as vendore e as ndërkombëtare që e kriminalizon luftën tonë të pastër”, është shprehur ai.
Jashari ka thënë se lufta e UCK-së ka qenë e drejte dhe se presin lirimin e ish-krerëve të saj.
“Ne e dimë që lufta jonë ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe shpresojmë shumë që sa më parë të lirohen krerët e UÇK-së”, ka deklaruar Jashari.
Avokati Arbër Jashari ka vlerësuar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë është shoqëruar me një sërë parregullsish dhe me shkelje të të drejtave të të pandehurve, veçanërisht për shkak të kohëzgjatjes së paraburgimit dhe gjykimit.
“Konsideroj që procesi në Hagë është përcjellë me shumë parregullsi dhe shkelje të të drejtave të të pandehurve, pra të katërshes së UÇK-së. Një nga padrejtësitë më të mëdha është që kemi pasur një paraburgim të stërzgjatur dhe një gjykim të stërzgjatur. Gjithsesi është mirë që ky gjykim po vjen drejt fundit”, ka deklaruar Jashari.
Sipas tij, provat e paraqitura gjatë procesit favorizojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Unë dua të besoj që gjykata do të bëjë një aktgjykim të drejtë ku do të lirohen krerët nga akuzat, kjo pasi që provat liruese janë shumë të forta dhe i mbizotërojnë të gjitha provat ku krerët akuzohen”, ka thënë ai.
Avokati Arbër Jashari ka vlerësuar se procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është zgjatur përtej çdo kufiri të arsyeshëm kohor. Ai po ashtu ka thënë se kjo gjykatë ka dëshmuar që nuk ka të bëjë vetëm me drejtësi por është edhe e politizuar .
“Unë shpresoj që ky gjykim nuk do të zgjatet më tepër sepse i ka tejkaluar limitet. Kjo gjykatë ka dëshmuar që nuk kemi të bëjmë vetëm me drejtësi, është pak edhe politike si çështje”, ka deklaruar avokati Arbër Jashari.
Deri më tani janë mbajtur disa protesta kundër mënyrës se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku mijëra shqiptarë kanë kërkuar drejtësi. Protesta e fundit u mbajt në Prishtinë më 17 shkurt, ndërsa më herët protesta janë organizuar edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg dhe Shkup.
Procesi gjyqësor përfundoi më 18 shkurt me fjalët përmbyllëse të palëve. Pas kësaj, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin, i cili ishte paraparë të shpallej brenda 90 ditëve. Megjithatë, shpallja e aktgjykimit u shty për më 20 korrik, me mundësinë e një shtyrjeje tjetër nëse këtë e kërkon trupi gjykues.
Ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga 5 nëntori 2020.
Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin prej tyre, ose gjithsej 180 vjet burg.
Gjykimi nisi në prill të vitit 2023, më shumë se tre vjet pas arrestimit të tyre. Më 16 prill 2025, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se kishte përfunduar paraqitjen e provave kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

