Fermerët e qumështit protestuan sot para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën që, sipas tyre, po i çon fermat drejt falimentimit, pas ndalimit të grumbullimit të qumështit tash e katër ditë, e paraprirë nga mbyllja e përkohshme e qumështores “Vita”.
Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: “Rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit; Publikimin urgjent të rezultateve, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi produktet vendore; Kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, për të shmangur falimentimin e fermave”.
Gjatë protestës, fermerët kanë kërkuar që shteti t’i trajtojë me dinjitet dhe respekt dhe nëse këto nuk merren parasysh, protesta si ajo e sotmja do të vazhdojnë.

