Ndonëse që dy ditë po qëndron në Greqi, kryeministri Albin Kurti nuk ka njoftuar në asnjë platformë për udhëtimin e tij në këtë shtet.
VOX Kosova ka siguruar një tjetër fotografi të të parit të Qeverisë, ku shfaqet bashkë me gruan e tij, Rita Augestad Knudsen, ulur pranë bregdetit grek.


Ashtu si çdo vit, Kurti në Greqi po qëndron në kuadër të Simpoziumit të Symit, i cili organizohet nga ish-kryeministri grek, George A. Papandreou.
Kurti – Çamërinë në fjalime, Greqinë në agjendë
Si opozitar, Albin Kurti, paraqitej si luftëtar i paepur i çështjes çame, përmendte vazhdimisht gjenocidin e shtetit grek ndaj çamëve, ndërsa pasi që erdhi në pushtet, Greqia është bërë destinacioni i tij më i shpeshtë politik dhe turistik.
Para se të vinte në pushtet, Kurti ishte një nga më të zëshmit për Çamërinë dhe gjenocidin që Greqia e kishte kryer ndaj tyre.
“Çamëria duhet të dalë nga harresa dhe neglizhenca. Së pari nga harresa dhe neglizhenca e gjithë shqiptarëve dhe mandej edhe e ndërkombëtarëve”, thoshte Kurti në Tiranë, më 28 qershor të vitit 2014, kur po shënohej 70-vjetori i gjenocidit grek ndaj çamëve.
Atë botë si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti theksonte se “në hartën e gjenocideve dhe spastrimeve etnike të Evropës duhet të zërë vend edhe Çamëria”. “Në Çamëri është ushtruar dhunë fashiste. Kjo dhunë fashiste nuk duhet të harrohet dhe kjo dhunë fashiste duhet të korrigjohet me drejtësi institucionale, me drejtësi politike, me drejtësi shtetërore”.
Pikërisht ata, deklaronte Kurti, “që bënë gjenocid ndaj shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, janë të njëjtët ata që nuk e pranojnë pakicën shqiptare sot në Greqi”, ndërkohë që tani takohet mjaft shpesh me zyrtarë të lartë grekë, duke përfshirë edhe Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.
Prandaj, thoshte Kurti, “neve na takon që Çamërinë ta trajtojmë ashtu siç është dhe siç duhet të jetë gjithmonë: pjesë e çështjes kombëtare shqiptare”.
Për të, Greqia dhe Serbia nuk ishin asgjë më shumë se shtete ekspansioniste.
“Grekët e serbët janë shtete ekspansioniste. Kjo nuk ka ndryshuar, fatkeqësisht, as pas 170 vjetësh. Dhe kjo nuk do të ndryshojë vetvetiu. Kjo do të ndryshojë vetëm atëherë kur shqiptarët do të ngrihen, do të krijojnë shtete të fuqishme dhe do t’i zmbrapsin apetitet e shovinistëve serbë e grekë”, deklaronte ai ndër të tjera.

