Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se procesi për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ka hyrë në fazën e radhës.
Pas takimit të mbajtur sot, KPK ka dorëzuar edhe zyrtarisht në Presidencën e Republikës së Kosovës nominimin për Zejnullah Gashi për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, transmeton Klankosova.tv.
“Nominimi i është përcjellë Shkëlqesisë së Saj, Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, së bashku me dokumentacionin e plotë që ka shoqëruar tërë procesin e përzgjedhjes që nga hapja e procedurës e deri te vendimmarrja përfundimtare e KPK-së”, thuhet në njoftim.
Me dorëzimin e nominimit dhe dokumentacionit përkatës, procedura kalon në fazën e trajtimit nga Presidenca, ndërsa hapat e mëtejshëm do të zhvillohen në përputhje me kompetencat dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

