Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se seancën konstituive do ta thërrasë në javën e parë të gushtit.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se seanca konstituive për formimin e institucioneve të vendit, pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.
Ajo tha se u ka dhënë kohë partive politike për takime para se të thërrasë seancën konstituuive.
“Ju e dini shumë mirë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës i jep të drejtën presidentit, në këtë rast mua, meqë jam ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, 30 ditë afat për të thirrur seancën konstituive.
Duke pasur parasysh që në momentin kur Kuvendi i Republikës së Kosovës konstituohet, e duke i pasur parasysh numrat në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ai do të konstituohet, pra nuk do ta kemi problemin e fillimit të vitit apo të prillit të vitit të kaluar, pra duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe të, që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo nuk është e mirë as për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nuk mendoj që nga kjo situatë do të përfitonte dokush nga subjektet politike apo individë përbrenda subjekteve politike.
Prandaj, si ushtruese e detyrës së presidentes, unë i kam mirëpritur takimet e zhvilluara me ftesë të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotërit Albin Kurti. E kam vlerësuar pozitivisht qasjen e LDK-së dhe PDK-së, pra që kanë pranuar që të vazhdojnë këto takime. Nuk më duket mirë që tashmë LDK-ja ka pezulluar, si me thënë, takimet për të arritur një marrëveshje. Ftoj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht ftesave për takime sepse nuk mund të kemi marrëveshje pa pasë takime. Prandaj, qasja serioze, konstruktiviteti në këto diskutime sjell te një marrëveshje. Edhe një herë duhet të theksoj, siç kam thënë më përpara, qytetarët e Republikës së Kosovës përmes votës së tyre i kanë ndëshkuar bllokadat apo qëndrimet bllokuese, të cilat pamundësojnë që ta zgjedhim presidentin e vendit. Kosovës i duhet një president me mandat pesëvjeçar, prandaj rreth kësaj duhet të ketë përpjekje maksimale, pra duhet të ketë bashkëpunim nga të gjitha palët”, tha ai.
Ajo, ka deklaruar se afati kushtetues pwr thirrjen e seancës konstituive është deri më 7 gusht duke shtuar se e njëjta pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.
Ai, shtoi se është shumë e rëndësishme që për hir të qytetarëve të ketë përpjekje maksimale për zgjidhje.
“Ju e dini shumë mirë që përpjekja serioze e Kryeministrit Kurti po vazhdon. Kryeministri Kurti ka ftuar partitë politike për këtë qëllim, por LDK i ka pezulluar negociatat, ndërsa PDK ka pasur qëndrimin e vet dhe AAK-ja nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës. Nuk mund të ketë, si me thënë, detyrime për t’iu përgjigjur këtyre takimeve, por është shumë e rëndësishme që për hir të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe për vetë shtetin tonë, që të ketë përpjekje maksimale që ta gjejmë një zgjidhje. Askush, siç e përmenda, nuk i do zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës sepse nuk do të zgjidhnin asgjë. Tash, afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për deputetët që në seancën konstituive të jenë të gjithë, 120 deputetët, ashtu siç edhe thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Ju faleminderit dhe shihemi në konferenca të tjera”, tha Haxhiu.

