Në dhjetor të vitit 2025, norma e interesit në kredi arriti në 6.8 për qind, nga 5.9 për qind sa ishte një vit më parë. Ndërkohë, norma e interesit në depozita arriti në 3.5 për qind, nga 3.4 për qind në vitin paraprak. Sipas Raportit 2025 të BQK-së, norma mesatare e interesit në kredi ka shënuar rritje si për korporatat jofinanciare, ashtu edhe për ekonomitë familjare.
Sipas Raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë vitit 2025, normat e interesit në kreditë e sektorit bankar shënuan rritje graduale, duke arritur nivelin më të lartë në shtator 2025. Konkurrenca e shtuar për financim përmes depozitave ndikoi gjithashtu në një rritje të lehtë të normave të interesit në depozitat e reja.
Më konkretisht, në dhjetor të vitit 2025, norma e interesit në kredi arriti në 6.8 për qind, nga 5.9 për qind sa ishte një vit më parë. Ndërkohë, norma e interesit në depozita arriti në 3.5 për qind, nga 3.4 për qind në vitin paraprak. Si rezultat i rritjes dukshëm më të lartë të normës së interesit në kredi, krahasuar me rritjen e normës së interesit në depozita, margjina e interesit kredi-depozitë arriti në 20.1 për qind.
Sipas Raportit 2025 të BQK-së, norma mesatare e interesit në kredi ka shënuar rritje si për korporatat jofinanciare, ashtu edhe për ekonomitë familjare. Konkretisht, në dhjetor 2025, norma e interesit në kredi për korporatat jofinanciare arriti në 7.1 për qind, ose u rrit me 1.1 pikë përqindje krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa, norma e interesit për ekonomitë familjare arriti në 6.4 për qind, ose u rrit me 0.7 pikë përqindje krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.
Në kuadër të korporatave jofinanciare, normat e interesit për sektorin e shërbimeve dhe industrisë shënuan rritje prej 1.0 pikë përqindje, duke arritur mesatarisht në 6.9 për qind dhe 7.0 për qind, respektivisht. Ndërkaq, për ekonomitë familjare, normat më të favorshme të interesit u aplikuan për kreditë hipotekare, me një mesatare prej 5.9 për qind, ndërsa për kreditë konsumuese u aplikua një normë mesatare interesi prej 6.6 për qind.
Normat e interesit në depozita arritën në 3.5 për qind, duke shënuar rritje prej 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Në dhjetor 2025, norma mesatare e interesit në depozita për ekonomitë familjare shënoi rritje vjetore prej 0.2 pikë përqindje, duke arritur në 3.1 për qind. Ndërsa, për korporatat jofinanciare, norma mesatare e interesit shënoi rënie vjetore prej 0.3 pikë përqindje, duke zbritur në 3.8 për qind.
Struktura e kredive sipas llojit të normave të interesit shënoi trend të rritjes së kredive me normë fikse interesi gjatë vitit 2025. Më konkretisht, në dhjetor 2025, pjesëmarrja e kredive me normë fikse interesi arriti në 72.6 për qind, nga 70.3 për qind në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, thuhet në Raportin 2025 të BQK-së.

