Këngëtari Labinot Tahiri ka njoftuar se do ta mbështesë financiarisht Roelin, djalin e vogël të artistit të ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda papritur nga jeta në nëntor të vitit të kaluar.
Përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale, Tahiri bëri të ditur se nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore ku do të performojë, do të ndajë nga 150 euro për nevojat dhe të ardhmen e Roelit.
Këngëtari tregoi se Shpatin e kishte jo vetëm koleg, por edhe mik, ndërsa theksoi se familjen e tij e kishte ndihmuar edhe më parë në mënyrë private. Tashmë, kontributi do të jetë i vazhdueshëm dhe i lidhur drejtpërdrejt me angazhimet e tij muzikore.
“Nga ky sezon e tutje, për aq kohë sa Zoti do të më japë mundësi të punoj, nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë do të ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin dhe të ardhmen e tij”, shkroi Tahiri.
Ai sqaroi se paratë do t’i dërgohen nënës së djalit, Selvies.
“Nuk do të jeni vetëm”
Në mesazhin e tij, Labinot Tahiri iu drejtua edhe familjarëve të Shpat Kasapit, duke u kërkuar të mos shqetësohen për vështirësitë materiale.
“Zonja Selvie dhe nëna e Shpatit, mos u mërzitni për anën materiale. Për aq kohë sa jemi ne, nuk do të jeni vetëm”, u shpreh ai.
Tahiri tregoi se këtë premtim ia kishte dhënë më herët edhe këngëtares Big Mama dhe Xenit, mikut të Shpat Kasapit.
Thirrje kolegëve të estradës
Në përfundim të postimit, këngëtari u bëri thirrje edhe kolegëve të tjerë të skenës muzikore që fjalët e mira dhe respektin për Shpatin t’i shndërrojnë në ndihmë konkrete për familjen e tij.
Sipas Tahirit, mbështetja për Roelin është një nga mënyrat më të bukura për ta nderuar kujtimin e artistit që la gjurmë dhe një boshllëk të madh në muzikën shqiptare.
Ai falënderoi gjithashtu mërgimtarët që e kanë kontaktuar privatisht dhe kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në ndihmë të djalit të vogël të Shpat Kasapit.

