Policia e Kosovës ka njoftuar se sot dhe nesër, për shkak të një koncerti që do të mbahet në Prishtina Mall, do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut.
Sipas njoftimit, kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe shmangies së kolonave në trafik.
Policia u bën thirrje qytetarëve që udhëtojnë në relacionin Prishtinë–Shkup dhe anasjelltas që gjatë kësaj periudhe të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat dhe ngarkesën në rrugë.
Për pjesëmarrësit në koncert janë organizuar edhe autobusë falas të Trafikut Urban, të cilët do të qarkullojnë në relacionin Prishtinë–Prishtina Mall dhe anasjelltas.
Ndërkohë, për automjetet që lëvizin nga Prishtina në drejtim të Prishtina Mall, pas rrethit të Marigonës do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.
Po ashtu, automjetet që vijnë nga drejtimi i Ferizajt do të kenë të rezervuar shiritin e djathtë për hyrje në Prishtina Mall, ndërsa qasja e vizitorëve do të realizohet përmes rrugicës në të djathtë, para rrethit të qendrës tregtare.
Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke u bërë thirrje të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe sinjalizimin e përkohshëm rrugor, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e trafikut.

