Policia e Kosovës ka vazhduar aksionet kundër shmangies së tatimit në autoparkingje, duke zhvilluar të enjten kontrolle në Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan.
Sipas Policisë, aksioni është realizuar nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në koordinim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Pejë.
Gjatë inspektimeve janë evidentuar shkelje të ndryshme, të cilat do të trajtohen nga autoritetet kompetente.
“Njësitet policore të DHKEK-së në koordinim dhe bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Pejë, kanë realizuar një aksion inspektimi në disa auto-parkingje në qytete të ndryshme si Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan. Gjatë inspektimit janë evidentuar shkelje të ndryshme, të cilat do të trajtohen nga autoritetet sipas kompetencës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Javën e kaluar, Policia kishte ndërmarrë aksione të ngjashme edhe në Gjakovë, Gjilan dhe Viti.

