Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj, siç i quajti ai, retorikave që relativizojnë krimet e luftës, duke thënë se ato përbëjnë provokim dhe janë në kundërshtim me vlerat evropiane.
Në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad, Konjufca tha se paqja në rajon nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e së kaluarës.
“Retorikat që i justifikojnë apo relativizojnë krimet e viteve të 90-ta, siç po ndodhin nga Serbia, janë jo vetëm provokim, por edhe të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e qytetërimit, paqes dhe demokracisë”, deklaroi Konjufca.
Sipas tij, këto qasje nuk mund të kenë vend në një Evropë demokratike.
“Ato nuk mund të kenë vend në Evropën demokratike”, theksoi ministri në detyrë i Punëve të Jashtme.
Konjufca shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, bashkëpunimit rajonal dhe mbrojtjes së vlerave demokratike, duke kërkuar që marrëdhëniet në rajon të ndërtohen mbi të vërtetën dhe respektimin e së kaluarës.

