Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

A ka Lista Serbe të ardhme në institucionet e Kosovës?

Nga një instrument për integrimin e komunitetit serb në shoqërinë kosovare deri te nisma për dezintegrimin e tij.

Valon Arifi by Valon Arifi
04/09/2025
in Lajme
0
A ka Lista Serbe të ardhme në institucionet e Kosovës?
0
SHARES
4
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga një instrument për integrimin e komunitetit serb në shoqërinë kosovare deri te nisma për dezintegrimin e tij.

Kështu e sheh veprimtarinë e Listës Serbe Belgzim Kamberi nga Instituti i Politikës Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë, duke shtuar se vetëm pas zgjedhjeve lokale më 12 tetor do të shihet nëse kanë ndryshuar qëndrimet dhe politikën e tyre.

Për momentin, shton ai, mbetet e hapur pyetja nëse kjo parti më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetje nga Beogradi, në periudhën e ardhshme do të kontribuojë në integrimin dhe stabilitetin ose në të kundërtën.

Nga ana tjetër, Miodrag Miliçević nga organizata joqeveritare Aktiv konsideron se Lista Serbe ka humbur kredibilitetin dhe potencialin koalicional, dhe që këto nuk mund të ndryshohen as me ndryshime të mundshme në kadro brenda partisë.

Ai tregon se kjo situatë është kryesisht pasojë e sulmit të armatosur në Banjskë në shtator 2023 dhe veprimeve sipas parimit “ngrohtë-ftohtë”.

Për sulmin në Banjskë mori përgjegjësinë atëherë zv/kryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçić.

Lista Serbe nuk u prononcua për sulmin në Banjskë, ku një polic kosovar u vra dhe tre sulmues serbë humbën jetën, dhe nuk u distancua nga Radoiçić, në mbrojtje të të cilit kishte qëndruar rregullisht deri atëherë.

Më parë, në nëntor 2022, Lista Serbe kishte nismuar tërheqjen nga institucionet e Kosovës në veri për shkak të reregistrimit të targave serbe në ato kosovare, më pas në prill 2023 bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve lokale, si dhe për bojkot të votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në prill 2024.

Kështu, në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mbetën deri në fund të mandatit kryetarë shqiptarë, të cilët popullsia serbe nuk i pranon.

Megjithatë, Lista Serbe tani po merr pjesë në proceset zgjedhore. Aktualisht ka 9 deputetë në parlamentin e Kosovës dhe do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet lokale të caktuara për 12 tetor.

Gjithashtu, Lista Serbe javën e kaluar i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës pasi zëvendëskryetari i Kuvendit nga komuniteti serb nuk u votua së bashku me zëvendëskryetarin tjetër nga komunitetet jo-shumicë.

Kryetari i Kuvendit, Dimalj Baša, mbylli seancën konstituive më 30 gusht, edhe pse zëvendëskryetari nga komuniteti serb nuk ishte zgjedhur.

A është e mundur “rehabilitimi” i Listës Serbe?

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Listës Serbe me pyetje nëse kanë vështirësi në funksionimin brenda institucioneve të Kosovës dhe nëse do të ndryshojnë politikën ose strukturën e partisë, por nuk ka marrë përgjigje.

Pas seancës së Kuvendit javën e kaluar, deputeti i Listës Serbe, Igor Simić, tha se po shkeleshin të drejtat e komunitetit serb, si dhe rendi kushtetues dhe rregullorja e punës së Kuvendit.

“Lista Serbe dhe populli serb nuk janë pengesë, dhe as nuk dëshiron të bllokojë proceset. Ne thjesht kërkojmë që të respektohen të drejtat tona,” tha Simić.

Beljgzim Kamberi nga Instituti i Politikës Sociale në një deklaratë për RSE tha se sulmi në Banjskë ka hapur dilema rreth Listës Serbe, dhe udhëheqja e re me kryetar Zlatan Elek nuk ka ndryshuar shumë situatën.

“Do të shohim se si do të veprojë Lista Serbe pasi, me shumë gjasa, të kthehet në pushtet në nivel lokal (sidomos në veri të Kosovës). Qëndrimet e Listës Serbe do të varen edhe nga procesi i dialogut, por edhe nga zhvillimet në Serbi. Nëse Partia Naprednuese Serbe (SNS) mbetet në pushtet, do të shohim çfarë do t’i sugjerojë Listës Serbe, si të veprojë; nëse ndodh një ndryshim pushteti në Beograd, mbetet të shihet nëse do të mbështesë vetëm konceptin e Listës Serbe ose një model më plural për organizimin e serbëve të Kosovës, formal më autonom dhe më pak i lidhur vertikalisht me pushtetin e Beogradit,” tha ai.

Miodrag Miliçević nga organizata Aktiv nuk beson se ndryshimet brenda Listës Serbe mund të ndikojnë pozitivisht në kredibilitetin e saj.

Ai mendon se partitë politike duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi dhe të zgjedhin zëvendëskryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb për të çliruar institucionet.

“Është e vështirë të pritet ndonjë lloj riprogramimi të Listës Serbe, por është po ashtu e pakuptueshme të kesh problem, pavarësisht nga reputacioni i Listës Serbe, të votosh për njerëz që nuk janë direkt përgjegjës për ngjarje të caktuara. Nëse argumenti vazhdon të jetë kush është parë me kë në fotografi, kush kur është takuar për kafe, diçka e tillë nuk ka vend në Kuvend,” vlerëson Miliçević.

Lista Serbe si rezultat i dialogut

Kamberi shprehet se Lista Serbe ishte menduar si një mekanizëm për tranzicion nga “institucionet paralele” të Serbisë në institucionet e Kosovës, dmth si një mekanizëm integrimi i komunitetit serb në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, dhe është rezultat i Marrëveshjes së Parë të Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

“Banjskë ishte kulmi i delegjitimizimit të kësaj ideje, modeli dhe koncepti për integrimin e serbëve të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të paktën nga ana serbe,” vlerëson Kamberi.

Në të njëjtën kohë, Lista Serbe po bëhej gjithnjë e më shumë një instrument i interesave të pushtetit në Serbi dhe të presidentit Aleksandar Vuçić.

“Megjithatë, disa faktorë vendosin nëse Lista Serbe do të rikthejë legjitimitetin. Ligjërisht dhe formal, do të kthehet në lojë, por sot pyetja është nëse Lista Serbe mund të ketë një funksion progresiv në procesin politik, dmth nëse mund të kontribuojë në integrimin dhe normalizimin, apo tashmë është më shumë një faktor dezintegrues dhe i nënormalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Këtë do ta kuptojmë pas zgjedhjeve lokale,” thotë ai.

Edhe Miliçević nënvizon se Lista Serbe është rezultat i dialogut Kosovë-Serbi, se ajo zbatuan vendimet e qeverisë në Serbi dhe nuk pret që Beogradi zyrtar të mbështesë ndonjë opsion tjetër – pavarësisht diskreditimit të Listës Serbe.

Pas bllokadës institucionale disa mujore, në fund të gushtit u zgjodh kryetari i Kuvendit të Kosovës, por bllokada u rikthye rreth zgjedhjes së zëvendëskryetarit nga komuniteti serb.

Pasi Lista Serbe refuzoi të ndryshojë kandidatin, sepse Slavko Simić tre herë nuk arriti të marrë votat e nevojshme, kryetari i Kuvendit Dimalj Baša vendosi që emri i ri të përcaktohet me short.

Megjithatë, askush nuk mori numrin e nevojshëm të votave, dhe Baša mbylli seancën konstituive.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar ndërkohë se po zhvillon “analizë” në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe se presidentja Vjosa Osmani do të veprojë sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar stabilitetin institucional dhe “respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”. REL/Qendra.Info

Related

Previous Post

“Ma mirë për komunën”- Krasniqi zbulon slloganin e PDK’së për zgjedhjet e 12 tetorit

Next Post

Qeveria britanike ndalon shitjen e pijeve energjike për të miturit nën 16 vjeç, synim përmirësimi i shëndetit fizik dhe mendor

Next Post
Qeveria britanike ndalon shitjen e pijeve energjike për të miturit nën 16 vjeç, synim përmirësimi i shëndetit fizik dhe mendor

Qeveria britanike ndalon shitjen e pijeve energjike për të miturit nën 16 vjeç, synim përmirësimi i shëndetit fizik dhe mendor

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.