Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për të shpallur 28 dhjetorin si datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai e ka konsideruar këtë moment si fillimin e një “epoke të re” për vendin.
Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve brenda dhe jashtë Kosovës, Abdixhiku tha se shpallja e zgjedhjeve rikthen shpresën në një vit që, sipas tij, ka qenë i rëndë dhe i mbushur me sfida për vendin.
“Sot, me shpalljen e datës së zgjedhjeve, nisi një faqe e re për vendin tonë. Një faqe që nuk shkruhet me mllef, as me frikë, por me një besim të thellë se Kosova mund të jetë më shumë sesa ajo që ka qenë këto vite; sidomos këtë vit”, deklaroi kreu i LDK-së.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe mërgatës që ta shfrytëzojnë këtë moment si mundësi për ndryshimin që, sipas tij, vendi e ka pritur gjatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të nisë zyrtarisht fushatën në ditët në vijim, ndërsa 28 dhjetori pritet të jetë një ndër garat më të rëndësishme politike të viteve të fundit.

