Pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili hodhi poshtë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që lejonte votimin jashtë përfaqësive diplomatike – përfshirë në lokale si restorante – ka reaguar ashpër kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kreu i LDK-së e cilësoi këtë praktikë si “tentim të organizuar për manipulim të votave” nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai tha se prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve, po bëhen përpjekje të vazhdueshme për krijimin e një sistemi të manipulimit.
“Që nga caktimi i datës së zgjedhjeve e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave,” deklaroi Abdixhiku, duke rikujtuar edhe përpjekjen e mëhershme për rikthimin e votimit me email – proces të cilin ai e quajti “praktikë të abuzimit masiv me fletëvotime”.
Abdixhiku theksoi se diaspora aktualisht ka mënyrën më të lehtë dhe më të sigurt të votimit, qoftë nëpër ambasada e konsullata, qoftë përmes postës. Sipas tij, vetëm proceset e garantuara nga shteti mund të mbajnë integritetin e zgjedhjeve.
“Sektit të Vetëvendosjes nuk i intereson vota e mërgatës; ata duan t’i printojnë vet fletëvotimet, t’i mbushin vet, t’i manipulojnë vet,” u shpreh ai, duke shtuar se situata aktuale po tregon se “Kosova po zgjohet, mërgata po rikthehet, e paniku i tyre është shenja e parë e humbjes që i pret”.
Vendimi i PZAP-it është pritur si një ndalesë e praktikave jostandard të zgjedhjeve, ndërsa pritet që debati rreth mënyrave të votimit të diasporës të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

