Këngëtarja e njohur Adelina Ismaili është përkrahur me një grant prej 20 mijë eurosh nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, disa muaj pas deklarimit publik në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore të 9 shkurtit.
Granti i Ministrisë, i cili synon mbështetjen e projekteve individuale në fushën e artit, është miratuar më 1 gusht dhe është pjesë e një thirrjeje ku janë përfshirë rreth 200 përfitues. Sipas listës paraprake të publikuar nga MKRS, shuma që i është ndarë Ismailit është më e larta mes të gjithë përfituesve.
Kjo mbështetje financiare i është dhënë këngëtares për realizimin e mini-albumit të saj të fundit me titull “Grua”, i publikuar një muaj më parë. Albumi përmban pesë këngë me tematikë feministe, të cilat Ismaili i ka dedikuar grave dhe vajzave që, sipas saj, kanë qenë në ballë të “revolucionit të fundit në Kosovë” duke ngritur zërin kundër dhunës.
Adelina Ismaili, një nga figurat më të spikatura të muzikës shqiptare në vitet ‘90 dhe fillimvitet 2000, vazhdon të konsiderohet si një prej ikonave të skenës muzikore, ndërkohë që angazhimet e saj publike shpesh shoqërohen me reagime të ndryshme në opinionin publik.