Kur kanë mbetur vetëm pak ditë deri në përfundimin e afatit ligjor, mijëra zyrtarë publikë ende nuk e kanë dorëzuar deklarimin e pasurisë.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar se 3,405 zyrtarë publikë nuk e kanë nisur ende këtë obligim ligjor. Ndërkohë, 4,860 zyrtarë e kanë përfunduar deklarimin, ndërsa 2,088 të tjerë janë në përfundim të procedurave.
Agjencia thekson se procesi po zhvillohet sipas procedurave ligjore dhe me ritëm në rritje, ndërsa në fazën përmbyllëse përqendrimi mbetet tek përmbushja në kohë e obligimit nga të gjithë zyrtarët publikë.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, rikujtoi rëndësinë e transparencës:
“Transparenca nuk është vetëm detyrim ligjor, por përbën themelin e besimit qytetar dhe të integritetit institucional. Secili zyrtar duhet të kontribuojë për një administratë më të hapur dhe më të përgjegjshme.”
Agjencia njofton se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje ligjore dhe ndëshkohen me gjoba, kallëzime penale dhe masa të tjera. Në raste të veçanta, mund të shqiptohen edhe dënime me burgim dhe konfiskim të pasurisë së padeklaruar.
Procesi i deklarimit vjetor të pasurisë përmbyllet më 31 mars 2026, dhe në total janë 10,353 zyrtarë publikë të obliguar të marrin pjesë në këtë proces.

