Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Gllarevë të Klinës, ku janë përfshirë tri vetura dhe si pasojë nëntë persona kanë mbetur të lënduar.
Lajmin e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënës për media në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, duke theksuar se një nga të lënduarit ka marrë lëndime serioze, ndërsa tetë të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Të gjithë të lënduarit po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ku janë në gjendje të stabilizuar, përveç njërit që është nën mbikëqyrje të shtuar mjekësore.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:37 dhe policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaktarin e përplasjes.