Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në provincën e Bolonjës, Itali, ku ka humbur jetën një fëmijë 7-vjeçar me origjinë shqiptare, ndërsa babai i tij ka mbetur i plagosur.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 21:00, kur dy automjete u përplasën me forcë. Njërën prej makinave e drejtonte një shtetas shqiptar, ndërsa tjetrën një 20-vjeçar italian.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të emergjencës, fëmija fatkeqësisht ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa babai i tij u transportua në spital në gjendje të rëndë.
Sipas raportimeve të para nga mediat italiane, dyshohet se një nga mjetet ka kaluar në korsinë e kundërt për të shmangur një motor që po hynte në një pompë karburanti, duke shkaktuar përplasjen fatale.
Policia italiane po heton rrethanat e plota të aksidentit për të përcaktuar përgjegjësitë dhe dinamikën e saktë të ngjarjes.

